Një shqiptar është vrarë pasditen e së dielës në Itali. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00, në Sirolo, në provincën e Ankonës. Viktima është Klajdi Bitri, 23-vjeçar me origjinë shqiptare, banues në Ankona, i cili ka humbur jetën duke mbrojtur një shokun e tij pas një mosmarrëveshjeje në rrugë.
Vrasësi, i cili u largua pas ngjarjes me makinë, u ndalua nga karabinierët e stacionit Falconara pak para orës 21. Bëhet fjalë për një 30-vjeçar algjerian me banim në provincën e Ankonës.
[caption id="attachment_1380574" align="alignnone" width="700"] Klajdi Bitri (në të majtë) dhe autori i krimit (në të djathtë)[/caption]
Çfarë ndodhi
Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, i riu shqiptar është gjuajtur me një pushkë peshkimi, pas një mosmarrëveshjeje rrugore. Ai humbi jetën duke mbrojtur një shokun e tij, i rrahur nga shoferi tjetër i makinës: në fillim u fol për mungesë përparësie, por duket se sulmuesi ka vepruar sepse makina përballë tij po shkonte shumë ngadalë pranë një rrethrrotullimi.
Në atë moment ai dyshohet se doli nga një polo e bardhë, me sa duket e drejtuar nga një grua, dhe filloi të rrihte shoferin, një baba që po udhëtonte me gruan dhe fëmijët e tij të vegjël. Në mbrojtje të tij ka ndërhyrë 23-vjeçari, i cili i ka ndarë. Por sulmuesi u kthye në Polo, duke marrë nga bagazhi një pushkë peshkimi dhe e goditi të riun në gjoks, duke e vrarë në çast.
Vrasësi u arratis
Menjëherë pas tragjedisë vrasësi është arratisur, ndërsa u vendosën postblloqe në të gjithë krahinën. Pamjet janë marrë nga kamerat e vëzhgimit me video të zonës dhe janë mbledhur dëshmitë e atyre që ishin dëshmitarë të krimit. Kapja, nga karabinierët, mbërriti pas disa orësh në Falconara./Liberale.al