Globi

Dyshohet se përmbajnë hormone, AUV çon në laborator domatet e importuara nga Shqipëria

Shkruar nga Liberale
Dyshohet se përmbajnë hormone, AUV çon në laborator

Domatet e importuara nga Shqipëria në Kosovë dyshohet se përmbajnë sasi të larta të hormoneve, të cilat janë të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve.

Për të verifikuar nëse kjo është e vërtetë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka dërguar disa mostra në laborator dhe është në pritje të rezultateve të testeve.

Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi duke konfirmuar këtë për Kosovapress përmes një përgjigje me shkrim, ka theksuar se kjo agjenci ka marrë masa shtesë të kontrollit, me theks të veçantë kontrollin e domateve me origjinë nga Shqipëria.

“Si AUV kemi marrë masa shtesë të kontrollit, me theks të veçantë kontrollin e domateve me origjinë nga Shqipëria. Përveç kontrollit të rregullt dhe analiza rutinore, në këtë rast janë marrë mostra /kampione përfaqësuese të regjioneve të caktuara prodhuese, prej nga importohen këto produkte, të njëjtat janë dërguar në laboratorë jashtë vendit me qellim testimi në kontaminuës kimik/mbetje të pesticideve (Përcaktimi i nivelit maksimal të mbetjeve-MRL në produkt). AUV është në pritje të rezultateve të testeve laboratorike të mostrave zyrtare të dërguara. Pas pranimit të rezultateve të testeve analitike, varësisht nga gjetjet do të merren veprime/masa zyrtare”, theksoi ai.

Sipas tij, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në nivel vendi në aspektin e përgjithshme të kontrollit të shëndetit bimor dhe sigurisë ushqimore, kryesisht bashkëpunon me laboratorë të autorizuar dhe kontraktuara në nivel shtetëror, siç janë: Instituti kombëtar i Shëndetësisë Publike-IKSHPK, Instituti Bujqësor i Kosovës- IBK, dhe Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë-LUV.

“Mirëpo për teste specifike mostrat zyrtare për raste të veçanta dërgohen për testim me metoda konfirmative qoftë në vende të rajonit apo në ndonjë vend të BE-së”, ka theksuar Thaçi.

Ai ka shtuar se të gjitha produktet që kanë qëllim final tregun e Kosovës duhet të jenë produkte të certifikuara, për çka përmes dokumentacionit adekuat shoqërues te lëshuar nga autoriteti kompetentë i vendit eksportues/prodhues marrim dëshmi/garanca që produktet janë në harmoni me kërkesat ligjore./KSP

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH