Dy makina me targa të Republikës së Kosovës janë djegur në Zubin Potok, një komunë që gjendet në Mitrovicë.
Pas ngjarjes, dy persona serb janë paraqitur në polici dhe kanë denoncuar djegien e makinave rreth orës 02:30 në mesnatë.
“Palët ankuese raportojnë se veturat e tyre kanë qenë të parkuara e lagjen e tyre, para shtëpive të banimit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, shkroi në Twitter se “strukturat ilegale të Serbisë po vazhdojnë të kërcënojnë serbët lokalë” në Zubin Potok.
“Mbrëmë, dy makina në pronësi të serbëve të Kosovës duket se u dogjën vetëm pse kishin targa RKS. Sipas marrëveshjes së Brukselit, këto janë targat e vetme legale në gjithë Kosovën”, shkroi ai.
Kjo nuk është hera e parë që në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë djegur vetura me targa RKS.
Në fund të vitit të kaluar, në veriun e Kosovës u rritën tensionet për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës që të gjitha makinat me targa ilegale të lëshuara nga Serbia t’i konvertonin ato në targa RKS.
Në shenjë pakënaqësie me këtë vendim, por edhe për shkak të arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës, serbët lokalë ngritën barrikada në veri. Barrikadat u hoqën disa ditë më vonë pasi ish-policit Dejan Pantiq iu ndryshua masa e sigurisë, nga paraburgim në arrest shtëpiak.
Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, u pajtuan për çështjen e targave. Përkatësisht, Kosova hoqi dorë nga veprimet që parashihte vendimi për riregjistrimin e targave, ndërkaq Serbia u pajtua se nuk do të lëshonte më targa të reja për makinat që qarkullojnë në Kosovë.