Aktualitet

Dëshmia e bashkëshortes së Kadri Rustem Bardulla: Qëlloi i pari...

Shkruar nga Liberale

Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Kadri Rustem Bardullës me origjinë nga qyteti i Peshkopisë, i cili pasi ishte diplomuar në Shkollën e Plotësimit të Oficerëve në Tiranë, gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut shërbeu në disa detyra të ndryshme në Tiranë, Shijak dhe Kavajë, e në vitin 1935-së u transferua si komandant i Kufirit në zonën e Malësisë së Madhe, ku pas një incidenti me palën jugosllave, Mbreti Zog do ta largonte që andej për ta sjellë në rrethin e Durrësit, me detyrën e Komandantit të Mbrotjes Bregdetare.

Rrëfimi i bashkëshortes së tij, Hatixhe Jareci Bardulla, lidhur me rolin e kontributin e Kadriut në ngjarjet e prillit të vitit 1939-të, kur Italia e Benito Musolinit kreu agresionin fashist ndaj Shqipërisë dhe nisur nga funksioni që kishte, Kadriu qëlloi i pari mbi trupat italiane, duke dhënë sinjalin e sulmit, si dhe kujtimet e ish-kolegut të tij, kapiten Nuredin Pustinës, që ishin së bashku në frontin e luftës, lidhur me arsyet e vërteta të vrasjes së kapterrit Mujo Ulqinaku, nga forcat italiane.

Largimi i kapiten Kadri Rustem Bardullës nga Tirana pas hyrjes së trupave italiane dhe emigrimi më pas në Tuzlla të Bosnjës me disa nga kolegët e tij ushtarak dhe kthimi i tij në Shqipëri në vitin 1943, duke u inkuadruar në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare ku caktua si oficer në Komandën e Kufirit që ndante Kosovën me Jugosllavinë, dhe vrasja e tij më 9 korrik të vitit 1944 në godinën e Prefekturës së Dibrës së Madhe nga forcat komuniste partizane maqedonase, pasi më parë ai nuk kishte pranuar që të rreshtohej përkah forcave partizane shqiptare që operonin në zonën e Dibrës, të cilat më pas do ta shpallnin “armik të popullit”.

Ndonëse bashkëshorti im kapiten Kadri Rustem Bardulla që ishte Komandant i Mbrojtjes Bregdetare të Durrësit dhe në ditët e para të prillit të vitit 1939 luftoi duke dhënë vetë i pari sinjalin e zjarrit mbi italianët, menjëherë pas mbarimit të Luftës, komunistët e shpallën armik e tradhëtar dhe ne na hoqën nga shtëpia”. Kështu na tregonte Hatixhe Bardulla (Jareci) për bashkëshortin e saj, Kadri Rustem Bardullën, ushtarakun e lartë të Monarkisë Zogut që dha i pari sinjalin e zjarrit kundër italianëve në 7-prillin e vitit 1939.

Kush ishte Kadri Rustem Bardulla dhe cila është e kaluara e familjes së tij? Cili ishte roli i Kadriut në 7-prillin e ’39-ës dhe përse ai e dha sinjalin e zjarrit kundër italianëve pa marrë urdhër nga komanda e tij eprore në Tiranë? Përse ai nuk pranoi gjatë Luftës që të rreshtohej përkrah forcave partizane dhe si i ndihmoi ata?! Cilat ishin rrethanat e vrasjes së tij në Prefekturën e Dibrës së Madhe dhe përse regjimi komunist i Enver Hoxhës e shpalli atë si armik e tradhëtar?!

Ushtarak i Monarkisë

Kadri Rustem Bardulla u lind në vitin 1907 në qytetin e Peshkopisë dhe pas mbarimit të shkollës fillore në vëndlindjen e tij, aty nga viti 1925 ai erdhi në Tiranë dhe u regjistrua në Shkollën e Plotësimit të Oficerëve të cilën e mbaroi në vitin 1928 me rezultate shumë të larta dhe përfitoi gradën e togerit. Lidhur me karrierën ushtarake të Kadriut, bashkëshortja e tij, Hatixhe Bardulla (Jareci), tregonte: “Pasi mbaroi shkollën Ushtarake të Oficerëve në Tiranë, Kadriu u caktua në disa reparte të Ushtrisë dhe gjatë periudhës së Monarkisë ai shërbeu për disa vite në Tiranë, Shijak, Kavajë dhe Durrës. Aty nga viti 1935 ai u emërua në funksionin e Komandantit të Kufirit në krahinën e Malësisë së Madhe që kishte nën juridiksionin e saj Selcën, Vermoshin dhe Kelmendin. Në atë detyrë Kadriu qëndroi deri në vitin 1937, kur u transferua me urdhërin e Mbretit Zog. Arsyeja e transferimit të Kadriut erdhi pas një incidenti të rëndë që kishte ndodhur në atë zonë kufitare, për të cilën pala jugosllave protestoi ashpër pranë Ministrisë sonë të Jashtme, duke kërkuar edhe dënimin me vdekje të Kadriut. I detyruar nga protestat e palës jugosllave dhe për të mos shkaktuar probleme ndërshtetërore, Mbreti Zog e transferoi Kadriun në Durrës dhe ne fletoren zyrtare u shkruajt sikur ai ishte degraduar e ishte dhënë për ndjekje penale. Në atë kohë që Kadriu u transferua në qytetin e Durrësit me detyrën e Komandantit të Mbrojtjes Bregdetare, ai na mori edhe ne të jetonim në atë qytet, pasi deri në atë kohë ne banonim në qytetin e Peshkopisë”, kujtonte bashkëshortja e Kadri Rustem Bardullës, mbi karrierën e tij ushtarake deri në vitin 1937, kur ai u transferua nga Mbreti Zog në qytetin e Durrësit.

7 prill ’39, jep sinjalin e luftës

Duke qenë në funksionin e Komandantit të Mbrojtjes Bregdetare të zonës së Durrësit, në ditët e para të prillit të vitit 1939, Kadri Rustem Bardulla pati rastin të ishte një nga oficerët që u mor me organizimin e asj rezistence që iu bë trupave italiane në momentin e zbarkimit. Lidhur me atë ngjarje të largët, bashkëshortja e tij Hatixhia na dëshmonte: “Më kujtohen si tani ato ditë të para të prillit të vitit 1939 kur ishte hapur lajmi që Italia do të pushtonte Shqipërinë. Që nga data 2 prill Kadriu iku nga shtëpia dhe gjithë ato ditë ai ka qëndruar në reparte dhe në zyrën e tij pa u kthyer fare në shtëpi. Ato ditë Kadriu u largua edhe jashtë Durrësit, duke shkuar edhe në Bishtë Pallë e Shëngjin, ku inspektonte trupat ushtarake që kishin marrë urdhër gatishmërie për të qëndruar në pozicione. Aty nga mbrëmja e 6-të prillit, Kadriu erdhi në shtëpi na mori e na nisi të gjithëve për në Tiranë. Ditën e nesërme kur trupat italiane kishin zbarkuar në Durrës, ne kemi qenë në Shkallën e Tujanit, duke udhëtuar me kuaj për në Peshkopi”, kujtonte bashkëshortja e tij Hatixhia. Po cili ka qenë roli i Kadri Rustem Bardullës gjatë asaj rezistence që i’u bë trupave italiane në Durrës? Lidhur me këtë hidhet dritë nga disa kujtime që i ka lënë një nga oficerët e tjerë të Ushtrisë Mbretërore, koleg i Kadriut i quajtur Nuredin Pustina. Midis të tjerash në ato kujtime të Pustinës shkruhet: “Ato ditë të para të prillit të vitit 1939 kur unë vija nga Tirana në Durrës pranë familjes, Mujo Ulqinaku më raportoi se italianët që shërbenin pranë Marinës sonë, u hiqnin gjilpërat topave të mëdhenj që ishin instaluar në fortifikatat pranë vilës në kodër dhe ato që ishin gjatë rrugës për tek kisha. Unë këtë gjë ia raportova Shefit të Transportit në Komandën e Mbrojtjes bregdetare, Kapiten Ibrahim Ishmit dhe ai njoftoi Gjeneralin që ishte Komandant i Mbrojtjes, e prej tij u njoftimi i’u dha Komandantit të Marinës në Durrës, i cili u tërhoqi vrejtjen italianëve që ishin në Komandën e Mbrojtjes. Italianët e morën vesh informatën e Mujos dhe nuk ia harruan atë deri sa e vranë. Unë me oficerët e depos nuk kishim asnjë ushtar nën komandë, por vajtëm vetë në vijën e parë. Unë u bashkova me rojet e kufirit, nën komandën e Komandantit të Kufirit, kapiten Kadri Rustemit nga Peshkopia. Kadriu mori në telefon kapiten Akil Sakiqin, i cili ishte komandant batalioni dhe i thotë se italianët kishin zbritur në tokë (në mol) dhe kishin filluar të ecnin drejt nesh. Kompania kishte zënë pozicione afër godinës së Bankës, fare pranë molos. Pasi në atë kohë lidhja telefonike me Tiranën ishte prerë dhe nuk funksiononte, Kadri Rustemi nxorri revolen dhe qëllloi i pari. Kjo ishte shënja e sinjalit të luftës që jepte urdhërin për të hapur zjarr ndaj italianëve dhe menjëherë pas sinjalit të Kadriut, të gjitha repartet kudo që ishin dislokuar nëpër pozicione filluan të hapin zjarr në drejtim të italianëve. Si rezultat i atij zjarri të pandërprerë, italianët u kapën në befasi pasi ata nuk e mendonin se do t’u bëhej rezistencë. Pas kësaj ata u tërhoqën dhe u mbyllën në anijet e luftës, por gjatë tërheqjes pati shumë të vrarë dhe të plagosur nga ana e tyre”, thuhet në kujtimet e Nuredin Pustinës, lidhur me ngjarjet e 6 dhe 7 prillit të vitit 1939, ku Kadri Rustemi ishte oficeri që dha i pari sinjalin e zjarrit mbi italianët.

Emigrant në Bosnje

Pasi ushtria pushtuese italiane e theu atë rezistencë që iu bë nga ana e Ushtrisë Mbretërore të Monarkisë së Zogut dhe hyri në Durrës e në Tiranë, Kadri Rustemi së bashku ushtarakët e tjerë u largua për t’i shpëtuar hakmarrjes së italianëve të cilët kishin nxjerrë urdhër-arrestet për të gjithë ata oficerë që i kishin pritur ata me pushkë. Lidhur me largimin e Kadriut nga Durrësi, bashkëshortja e tij Hatixhia na tregonte: “Në mbrëmjen e shtatë prillit të vitit 1939, Kadriu u largua nga Durrësi nga frika e ndonjë arrestimi të mundshëm dhe erdhi në Peshkopi ku isha unë bashkë me tre fëmijët e vegjël. Që në mbrëmjen e 7 prillit, ne morëm një lajm sikur ishte vrarë Kadriu dhe në shtëpi u hap morti. Por më pas një nga burrat e vjetër të shtëpisë nguli këmbë se ne nuk duhej të hapnim mortin akoma pa ditur të vërtetën rreth Kadriut dhe kështu që ajo gjë u mbyll. Kur erdhi Kadriu në shtëpi, ne u gëzuam pa masë që ishte gjallë, por ai nuk qëndroi shumë, pasi autoritetet italiane kishin nxjerrë për të urdhër-arrestin. Si rezultat i kësaj ai u detyrua dhe emigroi në Tuzlla të Bosnjës në Jugosllavi, së bashku me shumë nga kolegët e tij ushtarakë të Monarkisë. Në atë qytet Kadriu qëndroi si emigrant deri në fundin e vitit 1942, apo fillimin e 1943-it dhe gjatë asaj periudhe ai shoqërohej më shumë me Mustafa Gjinishin të cilin e kishte mik të ngushtë. Kur u kthye në Shqipëri, Kadriu u mobilizua në Ushtrinë Kombëtare dhe u caktua si oficer kufiri në Komandën e Prishtinës që mbulonte kufirin e Kosovës me Jugosllavinë. Kur në Tiranë erdhi në fuqi si kryeministër Fiqëri Dinja, Kadriu u transferua dhe erdhi në Peshkopi me detyrën e Komandantit të Batalionit”, kujtonte Hatixhe Bardulla, për karrierën ushtarake që ndoqi bashkëshorti i saj, Kadriu pas vitit 1939.

Ekzekutimi dhe persekucioni i familjes

Lidhur me periudhën që Kadri Rustemi ishte me detyrën e Komandantit të Batalionit në qytetin e Peshkopisë, Hatixhia kujton: “Ndonëse Kadriu ishte një antikomunist i vendosur, ai jo vetëm që nuk i ngacmonte shumë partizanët, por përkundrazi ai i ndihmonte ata dhe shumë prej tyre nuk i arrestonte sipas urdhërit që i jepej. Në atë kohë njëri nga krerët e lartë të partizanëve për krahinën e Dibrës i bëri thirrje Kadriut që ai të reshtohej me forcat partizane, por Kadriu nuk pranoi duke u thënë se nuk mund të luftonte nën urdhërat e komunistëve. Kadriu u vra më 9 korrik të vitit 1944, brenda ndërtesës së Prefekturës së Dibrës, nga foract komuniste maqedonase, të cilat atë ditë kishin marrë një ofensivë kundër nacionalistëve, duke vrarë reth 15 prej tyre. Ndonëse Kadriu u varros në Dibër të Madhe nga disa miq të familjes sonë, disa ditë më vonë qeveria shqiptare e asaj kohe organizoi një ceremoni duke e shpallur atë të rënë në krye të detyrës. Por ky qëndrim që u mbajt në atë kohë ndaj Kadri Rustemit, ndryshoi nga komunisët që erdhën në pushtet në dhjetorin e vitit 1944. Ata menjëherë e shpallën Kadriun armik e tradhëtar dhe ne na hoqën nga shtëpia jonë duke na lënë të banonim vetëm në bodrumin e saj, ku ne qëndruam për shtatë vjet me radhë. Ne nuk na internuan si shumë familje të tjera ndoshta për arsyen se nuk përbënim ndonjë rrezik, por që nga ajo kohë dhe gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist, ne u quajtëm familje reaksionare dhe dy djemtë e mi Genci me Musanë (Pulin) mezi mundën që të merrnin shkollat e larta me korespodencë”, e përfundonte rrëfimin e saj Hatixhe Bardulla, për bashkëshortin, kapiten Kadri Rustem Bardullën, ish-Ushtarakun e Monarkisë së Zogut që komunistët e shpallën “armik e tradhëtar” edhe pse ai ishte oficeri që kishte dhënë i pari sinjalin e zjarrit për të goditur italianët në shtatë-prillin e 1939-ës./Memorie.al

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH