Globi

Cilat janë arsyet që radhitën Vetëvendosjen të parën

Shkruar nga Liberale
Cilat janë arsyet që radhitën Vetëvendosjen të

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë nga zgjedhjet e 6 tetorit. Nga mbi 98 për qind të votave të numëruara LDK-ja është radhitur subjekti i dytë, PDK-ja i treti, AAK-ja i katërti, kurse Nisma ka mbetur pa kaluar pragun zgjedhor. Vlerësohet se triumfi i Vetëvendosjes ka ardhur pas dështimeve të vazhdueshme të partive që kanë qeverisur me shtetin e Kosovës, shkruan Gazeta "Zëri".

Politologu Belul Beqaj ka thënë se rezultati i zgjedhjeve nacionale mund të shihet si reflektim inkurajues i ngritjes së vetëdijes politike të qytetarëve të Kosovës e veçmas të të rinjve.

“Politikëbërja e keqe mund të përsëritet nëse nuk ndëshkohet, ndërsa votimi i djeshëm tregon se qytetarët kanë filluar të këndellen nga lajthitjet dhe premtimet pa mbulesa të partive politike dhe të politikanëve”, ka deklaruar ai për "Zërin".

Arsyet pse LVV-ja ka dalë si parti triumfuese në zgjedhje, sipas Beqajt, kanë të bëjnë me dështimin e subjekteve të tjera në qeverisjet e kaluara.

“Për faktin se të gjitha partitë paraprake kanë dështuar secila në mënyrën e vet. Së dyti, LVV-ja përjetohet si parti e diskontinuitetit. Së treti, ajo perceptohet si parti e pastërtisë dhe ndershmërisë. Së katërti, ajo ka një lider me integritet dhe vizion të qartë dhe fundja, LVV-ja po përjetohet si parti e të rinjve dhe e perspektivës”, ka potencuar Beqaj.

Gjersa ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve, Vigan Qorrolli, jurist dhe njohës i çështjeve politike, ka thënë se fitorja e Vetëvendosjes paraqet të ashtuquajturin “revolucion të shpresës” për qytetarët e Kosovës.

Arsyet e kësaj fitoreje, sipas tij, janë të shumta, por më e veçanta, siç Qorrolli është shprehur, është përcaktimi i Kurtit për shpresën që buron nga pesimizmi i kosovarëve për shtetndërtim.

“Si arsye themelore e kësaj është kapja flagrante e institucioneve të shtetit me familjarë dhe militantë politikë. Asnjë revolucion tjetër spektakolar nuk mund të ndodhë ndërsa shteti është i kapur kokë e këmbë nga ‘milicia’ politike e partive që e drejtuan Kosovën në këto 20 vjet”, ka theksuar ai.

LVV-ja, sipas Qorrollit, e ka detyrim parësor që ta realizojë premtimin për moskapjen e shtetit.

“Albini dhe partnerët e tij e kanë një obligim primar: të mos e kapin shtetin. Ky do të quhet revolucioni më i madh në tranzicionin politik dhe social të Kosovës”, është shprehur ai.

Kurse publicisti Shkelzen Maliqi ka thënë se ndëshkimi i PAN-it është absolut, por fituesi i padyshimtë, LVV-ja, është relativ.

Ndaj, sipas tij, LVV-ja duhet ta ndajë pushtetin me forcën e dytë nëse arrijnë ta gjejnë formulën e pajtimit të programeve, të mënyrës së qeverisjes dhe të riparimit të raporteve të dëmtuara me SHBA-në dhe BE-në.

Nëse kjo gjë shpërfillet, siç Maliqi është shprehur, do të mundë të ketë sërish probleme. /ZERI

Liberale Newsroom

A ishin zgjedhjet e 11 majit 2025 një farsë elektorale, siç pretendon opozita?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH