Blendi Lami
Një regjim hibrid është një sistem politik i krijuar si pasojë e një tranzicioni të mangët nga diktatura në demokraci. Regjime të tilla reflektojnë karakteristika autokratike dhe demokratike dhe në këtë proces krijohet kaos institucional.
Një krizë e radhës politike si pasojë e një kaosi institucional ka pllakosur Partinë Demokratike prej disa muajsh, por efektin e jep edhe në tëgjithë spektrin e politikës shqiptare dhe më tej në marrëdhëniet e shtetit shqiptar me aktorë të rëndësishëm rajonalë dhe botërorë. Teoria e kaosit e shpjegon pjesërisht këtë fenomen: natyra kaotike e formave politike të qeverisjes shkakton destabilitet dhe pamundësi për të arritur ekuilibër institucional brenda njësive politike – qofshin këto parti, institucione të pavarura (në letër) demokratike– deri tek vetë qeveria.
Kjo krizë është një tjetër ngjarje që ilustron nocionin e partisë së dështuar, organeve të pavarura të dështuara dhe vetë shtetit të dështuar. Sipas përkufizimit, një shtet është i dështuar kur sistemi politik apo ekonomik ështëaq i dobët sa institucionet e tij nuk janë në kontroll të krizave. (Në raportin vjetor të organizatës “Fund for Peace”, “Fragile States Index 2021” Shqipëria renditet vetëm 3 pikë nga kategoria “Rrezik” (“Warning”) duke lenë pas shtete si Kuba dhe Xhamajka.
Duke shmangur lojërat e ngushta politike për arsyet e kësaj krize, këtu jepet një fotografi e disa faktorëve që kanë mundësuar këtë krizë në PD (në fakt kriza të tilla që janë të shpeshta në kontekstin shqiptar). Sigurisht, pa kritere demokratike, kriza të tilla do të përsëriten sepse i prodhon vetë ky sistem.
Së pari, ky kaos është krijuar si pasojë e mungesës së veprimit të institucioneve kushtetuese, të cilat për shkak të frikës, paaftësisë apo lidhjeve me politikën nuk arrijnë të menaxhojnë çështjen e nisjes së procedurave për sqarimin/qartësimin/ndjekjen penale të ish-kryetarit të PD-së pas akuzave nga Shtetet e Bashkuara. Kjo paaftësi/pamundësi për zgjidhjen e kësaj çështjeje e shumë të tjera thellojë destabilitetin.
Së dyti, mungesa e zbatimit të statutit brenda një partie politike. Një parti si PD nuk arrin të vendosë rregulla të qarta të funksionimit të saj. Qoftë kur një kryetar, cilido qoftë ai, duhet të japë dorëheqje pasi humbet, qoftë kur zhvillon zgjedhje të dyshimta brenda partisë, qoftë kur krijon ndasi për interesa personale, qoftë kur partia shndërrohet në kompani private. Elektorati është i ndjeshëm dhe, pavarësisht paralizimit të vazhdueshëm që i bëhet, reagon. Mungesa e zbatimit të statutit dhe mosgjetja e gjuhës së përbashkët në tërësi do të minojnë edhe më tej PD-në.
Së treti, paaftësia e liderit pasues për t’u imponuar si kryetar dhe aftësia ish-liderit për të qenë kryetar në prapaskenë. Në momentin kur një kryetar partie nuk gëzon legjitimitet brenda partisë, nuk mund të vendosë karrierën personale përpara interesave më të gjera të partisë. Nga ana tjetër, ish-kryetari ndihet komod ta përdorë partinë për t’iu imponuar jo vetëm kryetarit zyrtar, por edhe një superfuqie si SHBA. Ish-kryetari, teksa ka ruajtur profilin e liderit në prapaskenë, shfrytëzoi momentin për të dalë në skenë – për të luajtur rol të drejtpërdrejtë në krizë dhe për t’u faktorizuar si forcë që nuk mund të anashkalohet.
Së katërti, ushqimi i pandërprerë i publikut me lajme nga kanale televizive me mungesë integriteti. Çdo lajm interpretohet sipas oreksit, gjë që sjell kaos edhe në mendjet e njerëzve.Në këtë pikë, televizionet pozicionohen sipas interesave që prodhon kaosi. Qëndrimet e anshme editoriale të televizioneve ndihmojnë nëradikalizim politik dhe ndarje në llogore.
Së pesti, në këtë kaos, luan rol të rëndësishëm edhe paaftësia e aleatëve perëndimorë për t’iu imponuaraktorëve politikë shqiptarë. Me sa duket, aleatët tanë nuk kuptojnë se kaosi institucional ushqehet së brendshmi – si nga qeveriaedhe nga opozita – për të favorizuar forca e brendshme që krijojnë autonomi të theksuar ndaj ndërhyrjes së jashtme. Siçështë parë, aktorë me peshë globale që në fakt zgjidhin kriza ndërkombëtare, nuk zotërojnë kapacitete për të sheshuar një krizë partiake, që jep aq shumë efekte sa shndërrohet në krizë kombëtare.
Në këtë kontekst, për aq kohë sa institucionet shqiptare nuk do të luajnë në fushën e lojës demokratike, d.m.th. nuk do të respektojnë rregullat e lojës, krizat do të vazhdojnë të turbullojnë imazhin e Shqipërisë dhe ta pengojnë atë në rrugën drejt Perëndimit.