Christopher R. Hill ka shenjuar historinë e re të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane si ambasadori i parë amerikan në Shqipëri pas rënies së komunizmit dhe i dërguari special i Departamentit Amerikan të Shtetit në Kosovë gjatë viteve të krizës, I nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës, ai i ka zbardhur kujtimet e atyre viteve intensive në shërbimin diplomatik, në librin “Pararojë – në vijën e frontit të diplomacisë amerikane”, botim i Shtëpisë Botuese UET Press.
Hill ishte i pari zyrtar amerikan në Shqipërinë post-komuniste, kur në 1 tetor 1991 rihapi Ambasadën Amerikane në Tiranë duke rivendosur marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve. Më vonë u emërua ambasador në Maqedoni, negocioi paqen në Bosnjë dhe ishte amerikani që mbikëqyri vendosjen e paqes në Kosovë në vitet më të trazuara të saj,1998-1999.
Kujtimet e kësaj periudhe dhe shërbimeve të tij të mëvonshme, detyra të rëndësishme si ajo e ambasadorit të Irakut pas luftës apo negocimi me Korenë e Veriut, vijnë për lexuesin shqiptar në librin e tij “Pararojë- në vijën e frontit të diplomacisë amerikane”.
Në 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve SHBA- Shqipëria, po sjellim një fragment të shkëputur nga libri “Pararojë – në vijën e frontit të diplomacisë amerikane”, ku ambasadori Hill përshkruan momentet e para të mbërritjes në Shqipëri dhe të hapjes së ambasadës amerikane në Tiranë, në vjeshtën e vitit 1991.
“Pararojë – në vijën e frontit të diplomacisë amerikane” , kujtimet e ambasadorit të parë amerikan në Shqipëri
Atë çka unë po bëja në Tiranë, Shqipëri, po e bënin shumë kolegë në regjionet e gjera të ish-Bashkimit Sovjetik, që tashmë po ndaheshin në shtete të reja të pavarura. Që nga 1990, deri në 1992 ishin krijuar më shumë se një dyzinë ambasadash të reja në vende ku virtualisht nuk kishte infrastrukturë, megjithëse shkuarja në këto vende të sapokrijuara, me linjat e tyre ajrore kombëtare të sapokrijuara, mund të ishte aventurë që të jepet një herë në jetë. Duke përdorur një klishe të lodhur të kohëve të fundit, do të quhej “shtysë civile”.
Por, shërbimi me Jashtë ia doli. Ne gjetëm njerëz të cilët ishin të përgatitur për të shkuar në këto vende, edhe pa familjet e tyre në raste të shumta dhe pa ndonjë komfort të krijuar. Tirana kishte dy ristorante, plus një të ballkonit të pasëm të Hotel Dajtit. Të dilje për darkë në Tiranë ishte atëherë aventurë kulinarie, dimensionet e së cilës ndonjëherë nuk njiheshin deri në mes të natës.
Disa kolegë u bashkuan me ne ndërsa javët rrokulliseshin, por shoqëria e vërtetë qëndronte në faktin se, ajo çfarë mund të ishte unike për mua, ishte tipike për Shërbimin me Jashtë. Ne na u desh t’i njihnim shqiptarët, një për një, në atë mënyrë si vepron një diplomat i mirë. Gjithmonë ka lidhje me marrëdhëniet, jo me transaksionet. Vizita ime e parë me Zëvendëskryeministrin Gramoz Pashko u pasua shpejt me një ftesë në shtëpinë e tij të vogël. Ai dhe bashkëshortja e tij Mimoza më mirëpritën me gjithë çfarë kishin, përfshi një shishe ëhiski. Aty erdhi dhe vëllai i Mimozës, ministri i ri i Financave në qeverinë e tranzicionit, Genc Ruli. Ata më pyetën për Amerikën, por kryesisht më treguan për Shqipërinë dhe më bënë të ndihesha comfort, edhe duke qënë kaq larg nga shtëpia ime.
Një çast Gramozi mori një kasetë muzikore nga rafti dhe, përpara se ta fuste në kasetofonin me bokse çjerrëse e me tingull buçitës, më pyeti: “A të pëlqen Dire Straits?”
“Është i preferuari im”, iu përgjigja.
Ne kishim përkthyes, Kestrina Budina dhe Andi Dervishi, të cilët ishin punësuar disa muaj përpara nga personeli im i përkohshëm i verës që kishim në Tiranë, dhe një oficer konsullar FSO të quajtur Bill Ryerson. Bill vendosi standardin amerikan për përkushtimin e thellë dhe pasionant për Shqipërinë, madje edhe të mësonte gjuhën në kohën e tij të lirë. Përkatësisht, për arsye se nuk kishte asnjë person tjetër kohët e fundit aq të kualifikuar, ai u bë ambasadori ynë i parë. Unë u bëra numri dy i tij, domethënë zëvendësshefi i misionit, i ngarkuar për të drejtuar brendësinë e ambasadës, ndërsa ambasadori performonte në ambientet jetësore. Gjeta një mësues gjuhe, Profesor Ukë Buçpapai, që nisi të më mësonte shqipen e mbijetesës. Ndërkohë punësova shumë punëtorë dite për të ndihmuar në riparimin e ambasadës, shqiptarë të cilët ia kishin dalë në njëfarë mënyre të mësonin disi anglisht nga ndonjë burim dhe që mund të ishin të dobishëm, ndërkohë që ne u zhvendosëm në atë që mund të ishte mbeturinë e skeletit të ambasadës sonë, të ndërtuar në 1931 dhe të braktisur në 1946. Njëri prej tyre ishte Toni Muço, i cili u shfaq te hyrja në ditën që ne lëvizëm për te ambasada jonë e vjetër dhe më tha: “Kam nevojë për punë. Do të bëj gjithçka. Punoj shumë. Unë shok i mirë me Chris Hill.”
“Zbavitëse”, i thashë, “ai kurrë nuk të ka përmendur ty tek unë”. E pëlqeva në çast, e ftova të na bashkohej dhe e vura në punë. (Toni më vonë u ngrit në detyrë dhe u bë kryetar i forcave tona të gardës në vend.)
Grupe të vogla të ekspertëve të qeverisë amerikane për ndihmën ekonomike, punonjës të ndihmës humanitare dhe kontraktorë të tjerë erdhën në ambasadë. Ata siguruan mjaft ndihmë ndaj kësaj demokracie të vogël që sapo kishte marrë krahë, ndonëse ndryshe nga Iraku më vonë, këtu kontraktorët kurrë nuk e dominuan jetën e ambasadës. Ne i ndihmuan shqiptarët të privatizonin sektorin bujqësor. Ne kishim njerëz që punonin në ministritë e tyre të financës, tregtinë me jashtë, energjitikën dhe shpërndarjen e ushqimit. Departamenti amerikan i tregtisë dërgoi një grup të kryesuar nga një ekspert tregtar sezonal, Jay Burgess, me të cilin unë kisha punuar më parë. Instituti Ndërkombëtar Republikan, i udhëhequr nga M. C. Andreës, njeri dinamik nga Carolina e Veriut dhe Tom Melia nga Instituti Kombëtar Demokratik, siguruan ndihmë teknike për partitë politike. Gjithashtu një gjykatës senior i dalluar por plotësisht me këmbë në tokë nga trupa e gjyqtarëve federale në Manhattan, gjykatësi Robert Sëeet, ndihmoi sistemin gjyqësor shqiptar. Ai ndihmoi në futjen e një koncepti krejt të ri të “Kodit të Procedurave”. Gjykatat shqiptare ishin ndeshur aty-këtu sentenca me vdekje dhe terma të gjatë për gjithëpërfshirësen “agjitacion dhe propagandë”, por kodi i ri mund të ishte pjesa qendrore e një vendi të ri të bazuar në rregulla juridike. Gruaja me staturë e gjykatësit Sëeet, Adele, më parë botuese gazetash me një sens të mprehtë politik e shoqëronte të shoqin dhe ne e vinim edhe atë në punë, të këshillonte kanalet e medias shqiptare që po lindte.
Ne nuk po eksperimentonim apo po i përdornim shqiptarët si laborator, sepse pothuajse gjithçka që po bënim në Shqipëri, po aplikohej diku tjetër në shtetet e reja të pavarura të periudhës së post-Luftës së Ftohtë. Në Shqipëri, USAID dha fonde edhe për një projekt tjetër. Diktatura shqiptare kishte krijuar një sistem pune të detyrueshme në kampe të vendosura në disa nga zonat më të humbura, në këtë vend të veçuar. Njerëzit e dërguar në burg kaluan dekada në këto ferma-burgje, po ashtu siç bënë edhe familjet e tyre, të cilët ishin dëbuar nga apartamentet e tyre meqenëse kishin pasur “biografi të keqe” (kontributi shqiptar në fjalorin e diktaturave komuniste të shekullit të njëzetë). Ata jetonin në këto baraka rurale pa shkolla apo facilitete të tjera që do t’i duheshin atyre për të jetuar në një shtet modern.
Ishte e vështirë t’u shpjegohej vizitorëve amerikanë një mizori e tillë sistemike. Kur na vizitoi zëvendëssekretari i thesarit John Robson, i kërkova ndihmësit tonë shqiptar të krijonte një grup me ish-të burgosur politikë, të cilët kishin vuajtur burgimin e brendshëm në sistemin e detyruar. “Na duhen së paku 15 prej tyre”, i thashë Kestrinës. “Nuk ka problem”, u përgjigj ajo. “Dhe do të më pëlqente që secili të ketë qenë në burg për 20 vjet për të treguar kohështrirjen e çështjes.” “Pa problem”, u përgjigj ajo, duke ngritur supet me thjeshtësinë e plotësimit të një kërkese.
Grupi i Kestrinës i 20 ish-të burgosurve politikë, të cilët kishin bërë 20 vite secili, u takuan me Robson në një dhomë të vogël në ambasadë. Më i vjetri ishte Osman Kazazi, i cili kishte qënë i syrgjynosur brenda burgut për 46 vjet dhe tashmë ishte 87 vjeç. Robson i dëgjoi të gjithë ata duke treguar historitë e jetës së tyre të tmerrshme. “Ne të gjithë duhet të mendojmë për të ardhmen” e mbylli Robson, ndërsa Kazazi tundi kokën me miratim, megjithëse disi konfuz. Zëvendësadministratorja e USAID Carol Adelman më pas krijoi një program trajnimi për viktimat dhe veçanërisht familjet e tyre, duke i mësuar ata të menaxhonin hotelet që ne ishim të sigurt se do të krijoheshin. Me Robson, i cili shërbente si mbulesë kryesore burokratike, Adelam i qartësoi burokracisë së pavolitshme të USAID (dhe ndoshta duke pasur në mend Kazazin e moshuar), se ne nuk kishim shumë kohë. Ne duhet ta kryenim këtë, tani. Për muaj dhe vite, një vend, sistemi i të cilit ishte bazuar tek terrori, po transformohej - pjesërisht falë ndihmës amerikane - në një vend që mund të fillonte të jetonte dhe merrte frymë.
Në një pjesë të Europës, ku retë e luftës po mblidheshin shpejt, pavarësisht parashikimit të një kohe me diell dhe të ngrohtë të post-Luftës së Ftohtë, Shqipëria ia doli të qëndronte larg telasheve. Ajo u kthye në rrugën e duhur me pak ndihmë të huaj, por me mbështetje të konsiderueshme nga Shtetet e Bashkuara. Më vonë Shqipëria do të dërgonte trupa në Irak dhe në vitin 2007 do të ftohej t’i bashkohej NATO-s. Nuk ishte çështja numër një në Europë, por unë mësova shumë sesi t’i menaxhoja këto situata.
Pas përfundimit të turit tim në Shqipëri, u ktheva në punë në Zyrën Europiane të Departamentit të Shteteve të Bashkuara, duke m’u caktuar të mbuloja gjithë vendet e Europës veriqendrore përfshi Shtetet e reja të pavarura Baltike dhe Hungarinë, Republikat Çeke dhe Sllovake, dhe sigurisht Poloninë. /Gazeta Liberale