Departamenti Amerikan i Shtetit ka ngritur sot në nivelin më të lartë – Nivelin 4 – këshillën e udhëtimit për Izraelin, duke paralajmëruar qytetarët amerikanë të mos udhëtojnë drejt këtij vendi për shkak të konfliktit të armatosur, terrorizmit dhe trazirave civile.
Ky paralajmërim vjen pas përshkallëzimit të situatës së sigurisë mes Izraelit dhe Iranit, si dhe autorizimit për largim vullnetar të personelit jo-thelbësor të ambasadës amerikane dhe familjarëve të tyre.
Ambasada e SHBA-së në Izrael thekson se për shkak të konfliktit të vazhdueshëm, të gjithë punonjësit e qeverisë amerikane janë udhëzuar të qëndrojnë të strehuar pranë banesave të tyre deri në një njoftim të dytë.
Gjithashtu, janë paralajmëruar kufizime për lëvizjen e personelit të ambasadës në zona të caktuara, përfshirë Qytetin e Vjetër të Jerusalemit, Bregun Perëndimor dhe zona të tjera të ndjeshme.
Në këshillën e përditësuar thuhet:
“Situata e sigurisë në Izrael, përfshirë Tel Avivin dhe Jerusalemin, është e paparashikueshme. Qytetarëve amerikanë u rekomandohet të qëndrojnë vigjilentë dhe të marrin masa për rritjen e sigurisë personale, pasi sulmet me raketa, mortaja apo dronë të armatosur mund të ndodhin pa paralajmërim.”