
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka pritur shefin e NATO-s Mark Rutte në Zyrën Ovale.
Duke folur për gazetarët në sallë, Trump tha se do t’i pëlqente të takohej me presidentin rus Vladimir Putin në një përpjekje për t’i dhënë fund luftimeve në Ukrainë.
Trump gjithashtu e karakterizoi bashkëpunimin transatlantik midis SHBA-së dhe aleatëve të saj evropianë për çështjet e sigurisë si “të padrejtë”.
“Ne jemi në anën tjetër të oqeanit,” tha Trump për Evropën. “Dhe ata janë pikërisht atje.”
Duke u ndalur te lufta në Ukrainë, Trump tha se “Ukraina ka rënë dakord për një armëpushim të plotë dhe ne shpresojmë se Rusia do të bëjë të njëjtën gjë”.
Ai thotë se lufta në Ukrainë është një “kosto e madhe për Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera”.
Sa i përket deklaratës së Putinit ditën e sotme, i cili tha se është dakord me një armëpushim i cili do të sjeppë paqe të qëndrueshme, Trump tha se është një deklaratë premtuese.
“Putini bëri një deklaratë shumë premtuese në konferencën e tij për shtyp më parë, por ishte e paplotë”.
Presidenti amerikan shtoi se janë diskutuar “shumë detaje” në marrëveshjen përfundimtare dhe se ai pret një përgjigje nga Moska.