Papa Leo XIV ka propozuar Vatikanin si një vend të mundshëm për zhvillimin e bisedimeve paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës, pasi diskutimet e zhvilluara në Stamboll nuk dhanë rezultate konkrete. Kardinali Pietro Parolin e cilësoi si "tragjik" rezultatin e këtyre bisedimeve, duke shpresuar për një proces të ngadalshëm, por të sigurt, drejt një zgjidhjeje paqësore.
Në një aktivitet të organizuar nga Kisha Katolike Greke Ukrainase në Romë, ai tha se Papa është i gatshëm të ofrojë Vatikanin për një takim të drejtpërdrejtë mes dy palëve, nëse është e nevojshme.
Nga ana tjetër, ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov, njoftoi se bisedimet e zhvilluara sot në Stamboll kanë përfunduar me një marrëveshje për shkëmbimin e 1,000 të burgosurve lufte mes dy vendeve. Ai gjithashtu tha se është diskutuar mundësia e një takimi midis presidentëve Volodymyr Zelensky dhe Vladimir Putin, si dhe mundësia e një raundi të ri bisedimesh për armëpushimin dhe zgjidhjen e konflikteve.