Dy punonjës të ambasadës izraelite në SHBA janë qëlluar për vdekje jashtë Muzeut Hebraik të Kryeqytetit në Uashington DC, ndërsa po largoheshin nga një aktivitet me fokus ndihmën për banorët e Gazës. Viktimat, të cilët ishin çift, ishin pjesë e një eventi të organizuar nga komuniteti hebraik.
I dyshuari për këtë ngjarje të rëndë është identifikuar si Elias Rodriguez, 30 vjeç, i cili u arrestua nga policia menjëherë pas sulmit. Sipas autoriteteve, Rodriguez ka bërtitur “Palestina e lirë” në momentin e ndalimit, ndërsa po hetohen lidhjet e mundshme të tij me terrorizmin.
Ambasada izraelite ka reaguar menjëherë pas ngjarjes, duke deklaruar se viktimat janë qëlluar nga një distancë e afërt. Zëdhënësja e ambasadës, Tal Naim Cohen, u shpreh në një postim në platformën X se ka besim të plotë tek autoritetet amerikane për zbardhjen e ngjarjes dhe vendosjen e drejtësisë.
“Dy anëtarë të stafit të ambasadës izraelite u qëlluan sonte nga afër, ndërsa merrnin pjesë në një aktivitet hebraik në Muzeun Hebraik të Kryeqytetit në Uashington DC. Ne kemi besim të plotë tek autoritetet e zbatimit të ligjit, si në nivel lokal ashtu edhe federal, për të kapur autorin dhe për të mbrojtur përfaqësuesit e Izraelit dhe komunitetin hebraik në Shtetet e Bashkuara,” shkroi ajo.
Hetimet mbi motivet dhe rrethanat e ngjarjes vijojnë, ndërsa siguria përreth përfaqësive diplomatike izraelite në SHBA është shtuar.