Afrim Gashi është zgjedhur sot kryetari i ri i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, i propozuar nga Koalicioni VLEN, e cila pritet ta formojë Qeverinë e re në koalicion me OBRM-PDUKM. Gashi në seancën e sotme konstituive të Kuvendit u votua me 76 vota “pro” dhe 6 “kundër”. Afrim Gashi për herë të tretë është zgjedhur deputet në Kuvendin e Shkupit, ndërsa deri dje ka qenë edhe kryetar i Alternativës.
Deputetët shqiptarë nga koalicioni Fronti Europian, tashmë në opozitë, u larguan nga salla përpara votimit. Është i pakuptimtë rivaliteti mes shqiptarëve, në një kohë kur përmes Afrim Gashit etnisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut i besohet i vetmi post drejtues i një institucioni të lartë. Në këtë këndvështrim ndasitë për deputetët shqiptarë, pavarësisht qëndrimeve politike dhe ndasive, janë të tepërta dhe nuk i bëjnë asnjë nder asaj që është më kryesorja: kombit.
Në fjalimin e parë si kryetar i kuvendit, Afrim Gashi falënderoi deputetët që e mbështetën. “Do të garantoj të drejtën e mendimit dhe fjalës personale si për deputetët e pushtetit ashtu edhe për ata të opozitës”, u shpreh Gashi. Nga ana tjetër, ai shtoi se tashmë Maqedonia e Veriut ka një perspektivë të re dhe se nuk do të kthehet më e kaluara.
Kujtojmë se një shqiptar, ish-kryeministri i përkohshëm i Maqedonisë së Veriut, Telat Xhaferri ka shërbyer më parë si kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga viti 2017 deri në vitin 2024.
Biografia e Afrim Gashit
Afrim Gashi është i lindur më 9 nëntor të vitit 1977 në Shkup. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, duke bërë betejë për hapjen e paraleles së mjekësisë edhe në Shkup. Gjatë shkollës së mesme është marrë edhe me muzikë, ndërsa bashkë me grupin e tij kanë marrë pjesë edhe nëpër festivale të ndryshme.
Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës e mbaroi në vitin 2007, ndërsa studimet pasuniversitare, në Institutin e Studimeve Juridike, Sociologjike dhe Politike në Shkup – në drejtimin e shkencave politike, i përfundoi më 2021.
Një kohë ka punuar në SHB “Logos-A” – Shkup, ndërsa në opinionin është i njohur edhe si publicist, duke qenë aktiv me shkrime publicistike në media të ndryshme shtypit dhe ato elektronike në gjuhën shqipe dhe maqedonase
Në vitin 2011 e ka themeluar revistën mbarëkombëtare “Shenja” dhe deri në vitin 2014 ka qenë kryeredaktor i saj.
Nga viti 2014 është aktiv edhe në politikë, duke e themeluar Lëvizjen Besa. Ai është nismëtar, projektues dhe ideator i saj, ndërsa një kohë e ka ushtruar edhe detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të saj. Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitin 2016 është zgjedhur deputet, duke kandiduar në njësinë zgjedhore nr. 2.
Më 9 mars 2019, pas ndarjes së Lëvizjes Besa, Gashi themeloi partinë “Alternativa” dhe u zgjodh kryetar i saj.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 ai sërish u zgjodh deputet.
Ai është i martuar dhe prind i tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali.