Me 65 vota pro dhe 3 kundër, deputetët votuan këtë të diel Qeverinë teknike e cila do të jetë në funksion 100 ditë dhe do të drejtohet për herë të parë nga një kryeministër shqiptar, Talat Xhaferi.Të pranishëm në sallë ishin 111 deputetë.
Betimi i tij u bë para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut pas dorëheqjes së Qeverisë së kaluar që udhëhiqej nga Dimitar Kovaçevski.
Xhaferi do të qeverisë për 100 ditë pasi bëhet fjalë për një qeveri teknike. Ai i ka dorëzuar në Kuvend emrat e kabinetit me të cilin do të udhëheqë vendin deri në zgjedhjet e 8 majit.
BDI, partia shqiptare në koalicionin qeverisës, ka propozuar emrat e 5 ministrave dhe 3 zëvendësministrave për qeverinë teknike.
“Qeveria në mënyrë direkte dhe në bashkëpunim me Kuvendin, BE-në dhe SHBA-në do të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike ku do të reflektohet vullneti i qytetarëve. Qeveria do të vazhdoj t’i realizoj të gjitha reformat për integrim të vendit në BE. Qeveria do të vazhdoj politikat për arsimim kualitativ, sepse investimi në arsim është investim në shtet. Reformat në administratën publike”, tha Xhaferi.
Xhaferi u shpreh se sundimi i së drejtës, lufta kundër korrupsionit mbeten politika thelbësore të Qeverisë.
“Qeverinë do ta udhëheq me përgjegjësi, duke përmbushur detyrimet dhe pritshmëritë e qytetarëve dhe partnerëve të koalicionit. Edhe pse është qeveri kalimtare që do të organizojë zgjedhjet, për mua një ditë apo 100 janë të njejta, dhe dua të ju sigurojë që përgjegjësia dhe institucionalizmi në udhëheqje do të jetë detyra ime. Unë do të vazhdojë programin e qeverisë së kaluar duke realizuar prioritetet e qytetarëve dhe të qeverisë.
Për të ecur drejt rrugës së BE-së ne do të bëjmë hapat e duhura dhe të sigurta që i takon një shteti serioz. Qeveria ime do të jetë krah dhe zë i qytetarëve. Puna e qeverisë sime do të kalojë edhe nëpërmjet sfidave që do të sigurojnë zbatimin dhe respektimin e ligjeve dhe Kushtetuese. Bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare për zgjedhjet dhe zhvillimin e vendit, do të jetë obligim i imi. Bashkëpunimi me BE-në, NATO-n dhe SHBA-të do të jetë gjithashtu prioritet për mua dhe qeverinë time”- tha Xhaferi.