Rastet e reja me virusin HIV po shënojnë rritje në Kosovë, sipas të dhënave të fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK). Deri tani, vetëm në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtinë janë regjistruar 10 raste të reja për vitin 2025, ndërkohë që gjatë vitit të kaluar u shënuan 29 raste – një numër dukshëm më i lartë se ai i vitit 2023.
Mjeku Murat Mehmeti, shef i repartit për sëmundje seksualisht të transmetueshme, thotë se ka ende mungesë informimi, sidomos tek të rinjtë. “Nuk ka informim të mjaftueshëm për mënyrat e transmetimit të HIV-it dhe as për vendet ku mund të bëhet testimi”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Sipas Mehmetit, shumë raste mbeten të paregjistruara për shkak të paragjykimeve që shoqërojnë këtë virus. Aktualisht, rreth 100 pacientë janë nën trajtim në Klinikën Infektive, ku shërbimet dhe terapia ofrohen falas – ashtu si edhe në institucionet tjera publike shëndetësore në Kosovë.
Zyrtarët e IKSHPK-së konfirmojnë se ekziston mundësia e testimit anonim dhe pa pagesë. Megjithatë, pavarësisht fushatave të ndërmarra për rritjen e vetëdijes, sidomos në shkolla, sfidat mbeten të mëdha.
Edona Dobroshi-Deva, menaxhere e Programit Global për HIV-in në Kosovë, thotë se rritja e rasteve mund të vijë si rezultat i vetëdijes më të madhe për t’u testuar ose për shkak të shfaqjes së vonshme të simptomave, pasi infektimi mund të ketë ndodhur vite më parë.
“Të dhënat tregojnë se të rinjtë në Kosovë nisin jetën seksuale në moshë të hershme. Prandaj, edukimi duhet të fillojë po ashtu herët”, thekson Dobroshi-Deva.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë një reagim të drejtpërdrejtë për këtë çështje, por në ueb-faqen e saj figuron një strategji për kontrollin e sëmundjeve infektive, përfshirë HIV-in.
Rasti i parë me HIV në Kosovë është regjistruar në vitin 1986. Që nga ajo kohë, mbi 50 persona kanë humbur jetën si pasojë e këtij virusi. Institucionet thonë se janë të angazhuara për ta përmirësuar parandalimin dhe trajtimin, por sfida më e madhe mbetet luftimi i stigmatizimit dhe rritja e informimit në publik.