Kosova

KONFERENCA me Osmanin/ Shefi i NATO-s: Vizita ime, për siguri afatgjatë në të gjithë Kosovën

Shkruar nga Liberale

KONFERENCA me Osmanin/ Shefi i NATO-s: Vizita ime, për siguri

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte vizitoi sot Kosovën për herë të parë që nga marrja e detyrës.
Rutte u takua me presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti.

Në një konferencë të përbashkët për mediet me presidentetn Osmani, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, tha se përkushtimi i aleancës “mbetet i njëjtë”.

Ai tha pas takimit me Presidenten se trupat e NATO-s po punojnë pa pushim në Ballkan dhe se një rajon më i sigurt i Ballkanit Perëndimor “nëkupton më shumë siguri për gjithë zonën e NATO-s”.

Rutte tha se vizita e tij e sotme është “një demonstrim i qartë i përkushtimit të palëkundur të NATO-s për siguri afatgjatë në gjithë Kosovën dhe pastaj për stabilitetin e rajonit”.

“Duhet të kemi të qartë se çka kemi para nesh: dekada të stërzgjatura të ndërtimit të paqes nuk mund të lihet anash. Jemi plotësisht gati për t’ju përgjigjur çfarëdo zhvillimi të sigurisë dhe në këtë kuptim shpresojmë të shohim një bashkëpunim edhe më të thellë midis institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it në këtë drejtim. Kjo është shumë me rëndësi për ne”, tha ai.

Rutte tha se “NATO-ja do të vazhdojë të luajë rolin e vetë për sigurinë e të gjithëve”.
Stabiliteti në rajon, ai tha se “varet nga të gjitha palët”, ndërsa bëri thirrje që të zgjidhet “diplomacia para dhunës”.

“Zgjidhja për një çështje afatgjatë është politike”, tha ai. Shefi i NATO-s tha se e mbështesin normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo është e vetmja mënyrë për t’i zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të siguruar të ardhmen”, tha ai. Në dialog, Rutte tha se “të dyja palët duhet të shfaqin fleksibilitet, të bëjnë kompromiset e duhura”.

“E kuptoj plotësisht që kjo kërkon vendime të vështira, por që duhet të shohim atë pamje më të gjerë. Normalizimi sjell stabilitet më të madh, më shumë mundësi investimi dhe pastaj siguri më afatgjatë për të gjithë rajonin”, tha ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Kosova do të vazhdojë të jetë aleat i besueshëm në luftën kundër kërcënimeve hibride dhe ndërhyrjeve të huaja.
Ajo ka shtuar që është koha që Kosova të jetë pjesë e NATO’s.

“Ne do të vazhdojmë të jemi aleat i besueshëm në luftën kundër kërcënimeve hibride dhe ndërhyrjeve të huaja. Po ashtu jemi të gatshëm të mbështesim infrastrukturën e NATO’s dhe të kontribuojmë në misionet e saj duke forcuar më tej rolin tonë si eksportuese e sigurisë. Sic e thashë në takim, stabiliteti i rajonit është shumë i lidhur ngushtë edhe me integrimin euroatlantik të vendeve të këtij rajoni. Kosova dhe qytetarët e saj ndajnë vlerat mbi të cilat është ndërtuar NATO. Është koha që Kosova ta ketë vendin e saj në Aleancë për të kontribuar si një anëtare e përgjegjshme dhe e përkushtuar për stabilitetin dhe sigurinë globale”, tha Osmani.

Rutte ishte të hënën në Sarajevë, ku pas takimit me anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës tha se “nuk është viti 1992” dhe se NATO-ja nuk do të lejojë që paqja të vihet në rrezik.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH