Deputetët kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës të premten në përpjekjen e gjashtë, pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk i mori votat e nevojshme.
Haxhiu mori 57 vota për, katër më pak se minimumi prej 61 votave të nevojshme për t’u emëruar. Ajo nuk u votua për kryetare në katër seanca radhazi.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka akuzuar se Lëvizja Vetëvendosje qëllimshisht nuk dëshiron ta zhbllokojë konstituimin e Kuvendit të Kosovës pasi nuk po ndryshon propozimin për postin e kryeparlamentarit.
“Një gjë është e qartë, Albulena Haxhiu nuk kalon. Sikur të donin zgjidhje, kanë pasur mundësi edhe sot, edhe pardje, edhe para katër ditësh. Të njëjtën mundësi e kanë edhe pasnesër: Ta ndërrojnë deputetin”, tha Krasniqi.
Ai tha se kjo po bëhet pasi LVV-ja nuk i ka votat e mjaftueshme për ta formuar qeverinë e re.
“Kjo vërtet tashmë është komplet e pakuptimtë, e turpshme, që për tekat e një personi, një kandidati, të mbahet peng shteti”, tha Krasniqi.
Ai tha se nëse Kuvendi nuk konstituohet, zgjidhja do të ishte të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme në maj të këtij viti.
Krasniqi shtoi se përveç Haxhiut, ka edhe emra të tjera nga LVV-ja që PDK-ja nuk do i votonte për postin e kryeparlamentarit, por nuk pranoi të emëronte ata.