Një zjarr i madh ka përfshirë një shtëpi në fshatin Savrorë të Suharekës në orët e para të mëngjesit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:45, në kohën kur familja ishte në gjumë. Fatmirësisht, askush nuk ka pësuar lëndime, por shtëpia është bërë e pabanueshme.
Zonja e shtëpisë, Nafije Rudaj, ka treguar se fillimisht ka parë një dritë në dritare dhe më pas ka dëgjuar zhurma. Kur ka hapur dritaren, ka parë se kulmi i shupës ishte përfshirë nga flakët. Ajo është munduar të shpëtojë familjen dhe të ndalë zjarrin, por energjia elektrike ishte ndërprerë dhe nuk ka mundur të bëjë asgjë.
Zjarrfikësit kanë pasur vështirësi në intervenim, pasi automjeti i parë kishte shumë pak ujë. Deri në ardhjen e automjeteve tjera, zjarri ishte përhapur në të gjithë shtëpinë. Komandanti i njësisë së zjarrfikësve ka treguar se intervenimi ka zgjatur deri në ora 06:30 të mëngjesit dhe për fat të mirë nuk ka pasur shpërthim, ndonëse në vendngjarje u gjetën dy bombola gazi.
Sipas zonjës Rudaj, në zjarr janë djegur edhe 8500 euro të kursyera dhe stoli ari që ishin menduar për nusen e ardhshme të familjes. Ajo fajëson energjinë elektrike si shkaktare të zjarrit.