Globi

Trump ka pezulluar ndihmën ushtarake për Ukrainën

Shkruar nga Liberale
Trump ka pezulluar ndihmën ushtarake për Ukrainën

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka vendosur të pezullojë përkohësisht ndihmën e re ushtarake për Ukrainën.

Burime nga Shtëpia e Bardhë e kanë konfirmuar për gazetarët amerikanë lajmin në mënyrë konfidenciale, edhe pse mediat vazhdojnë të jenë në pritje të një deklarate zyrtare të Trump.

Referuar po të njëjtave burime, mësohet se pezullimi duhet të hyjë në fuqi menjëherë.

Një vendim i tillë shumë befasues mendohet se është pasojë e një takimi katastrofik të Trump me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky ditën e premte në Uashington.

Në atë takim, pjesë e debatit, ishte diskutimi për të nënshkruar një marrëveshje shfrytëzimi të burimeve minerale në Ukrainë. Në vend të këtij diskutimi, gjithçka u shndërrua në një debat para kamerave.

Diferencat mes dy presidentëve ishin mënyrat se si mund t’i jepej fund luftës së Rusisë në Ukrainë. Zelensky donte një garanci ushtarake nga SHBA-ja, në mënyrë që të nxitej një proces paqeje, ndërsa presidenti amerikan kërkonte negociata të menjëhershme, kjo edhe bazuar nga gjendja që shfaqet në fushën e betejës.

Vendimi për të pezulluar ndihmën ushtarake për Ukrainën, në fakt, është një përpjekje për të detyruar Zelenskyn të pranojë skenarin e propozuar nga Trump. Ky pezullim mund të jetë i pashmangshëm edhe për një arsye tjetër, pas debatit me Trump, Zelensky udhëtoi drejt Londrës për t’u takuar me liderët e tjerë europian për të diskutuar në lidhje me mbështetjen ndaj Ukrainës.

Ata, sigurisht, diskutuan edhe në lidhje me krijimin e një koalicioni mes vendeve europiane për të skicuar një plan paqeje, në funksion të pushimit të lutës mes Ukrainës dhe Rusisë.

Nga fillimi i luftës në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar dhjetëra miliarda dollarë ndihmë ushtarake për qeverinë ukrainase, duke përfshirë tanke, helikopterë, raketa, artileri dhe avionë luftarakë.

Gjithashtu, pezullimi i kësaj ndihme, mund të prekë më shumë se 1 miliard dollarë armë dhe municione që ishin rënë dakord të dërgoheshin në Ukrainë./ Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH