Tashmë që bota pret me interes se kush do të pasojë Papën Françesku në krye të Kishës Katolike, një gjë është e sigurtë: pasardhësi i tij do të jetë burrë.
Kjo për shkak të një tradite shekullore që nuk lejon shugurimin e grave si priftëresha, dhe rrjedhimisht ato nuk mund të zgjidhen papa.
Edhe pse Papa Françesku është njohur për qasjen e tij liberale dhe për përfshirjen e më shumë grave në poste drejtuese në Vatikan, ai ka qëndruar i palëkundur në qëndrimin se roli i papës është i rezervuar për burrat. Aktualisht, të gjithë 138 kandidatët potencialë për papë janë meshkuj – kryesisht kardinalë, pasi konklava zakonisht zgjedh një nga radhët e tyre.
Tradita bazohet në të ashtuquajturin “parimi i Pjetrit”, sipas të cilit papa është pasardhësi i Shën Pjetrit, apostullit të parë dhe figurës qendrore në themelimin e Kishës. Ky koncept mbështet strukturën aktuale hierarkike të Kishës Katolike dhe përjashton gratë nga shugurimi dhe, për rrjedhojë, nga papati.
Papa Françesku, i cili mori emrin në nder të Shën Françeskut të Asizit dhe ka bërë reforma të rëndësishme që nga zgjedhja e tij në vitin 2013, ka refuzuar të jetojë në luksin e Pallatit Apostolik, ka hequr dorë nga paga papnore dhe ka emëruar më shumë kardinalë jashtë Evropës sesa cilido paraardhës. Megjithatë, ai ka qenë i qartë se roli i grave në Kishë, ndonëse thelbësor, është “i ndryshëm” dhe nuk përfshin shugurimin.
Pra, përkundër një vizioni më gjithëpërfshirës për Kishën, tradita dhe doktrina vazhdojnë të diktojnë që papa i ardhshëm do të jetë sërish një burrë.