Globi

OKB: Fëmijë të moshës 1-vjeçare janë përdhunuar gjatë luftës në Sudan

Shkruar nga Liberale
OKB: Fëmijë të moshës 1-vjeçare janë

Fëmijë të moshës një vjeç janë përdhunuar gjatë konfliktit të armatosur në Sudan. Lajmi është konfirmuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara ditën e martë, duke e konsideruar një ngjarje të tillë si tmerr që duhet të “trondisë deri në palcë çdo njeri në botë”.

UNICEF tha se shkalla e përdhunimit të fëmijëve në Sudanin e shkatërruar nga lufta ishte shumë më e përhapur sesa thjesht disa raste të dokumentuara, ndërsa u bëri thirrje të gjitha palëve t’i japin fund dhunës seksuale si një taktikë lufte.

Organizatat për parandalimin e dhunës me bazë gjinore në Sudan kanë regjistruar rreth 221 raste të përdhunimeve të fëmijëve që nga fillimi i vitit 2024.

Nga këto raste, 66 për qind e të mbijetuarve ishin vajza dhe 33 për qind ishin djem.

Kishte 16 të mbijetuar nën moshën pesë vjeçare, duke përfshirë katër të mitur vetëm një vjeç.

Agjencia e OKB-së për fëmijë regjistroi 77 raste të tjera të raportuara të sulmeve seksuale ndaj fëmijëve – kryesisht tentativë përdhunimi.

“Rastet janë verifikuar me shumë kujdes nga Kombet e Bashkuara dhe këto shifra ofrojnë vetëm një pamje të pjesshme të përmasave të vërteta të dhunës së ushtruar ndaj fëmijëve”, tha UNICEF.

Për shkak të paragjykimeve, frikës apo refuzimit nga familja ose komuniteti i tyre, shumë nga të mbijetuarit, nuk kishin dëshirë dhe as nuk ishin në gjendje të denonconin hapur ngjarjet./Liberale.al

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH