Në rajonin e Murcias në Spanjë është bërë një zbulim i pazakontë: një plantacion marijuane i ngritur brenda një banese në pronësi të vetë kompanisë, i përdorur nga një prej punonjësve të saj. Ngjarja daton në verën e vitit 2020, kur gjatë disa punimeve në zyrat e kompanisë, punëtorët vërejtën një kompresor ajri jashtëzakonisht të madh në një prej shtëpive ngjitur me godinën, e cila ishte në pronësi të kompanisë dhe e banuar nga një punonjës.
Përveç pajisjes, nga shtëpia vinte një aromë e fortë kanabisi. Pas hetimeve të brendshme, u zbuluan fatura energjie me konsum të lartë dhe punonjësi, i përballur me provat, e pranoi se kishte kultivuar marijuanë në banesë. Kompania vendosi të mos e denoncojë, por i ofroi një marrëveshje; largim nga puna me status “pushim i padrejtë” dhe një dëmshpërblim prej 3.000 euro.
Punonjësi e pranoi ofertën në atë kohë. Megjithatë, më vonë ai e paditi kompaninë, duke pretenduar se ishte kërcënuar për të firmosur marrëveshjen, me frikën e një kallëzimi penal.
Gjykata e shkallës së parë hodhi poshtë pretendimin, duke theksuar se ai kishte nënshkruar në mënyrë të lirë dhe pa presion. Së fundmi, edhe Gjykata e Lartë e Murcias ka konfirmuar ligjshmërinë e pushimit nga puna. Sipas saj, paralajmërimi për pasoja ligjore nuk përbën kërcënim apo shtrëngim, por një informim i ligjshëm. Po ashtu, gjykata vlerësoi se nuk kishte asnjë shkelje të të drejtave të punonjësit.