Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un ka thënë se bashkimi me Jugun nuk është më i mundur dhe se kushtetuta duhet të ndryshohet për ta cilësuar atë si "armikun kryesor".
Kim tha gjithashtu se tre organizata që merren me ribashkimin do të mbyllen, raportoi media shtetërore KCNA.
Presidenti i Koresë së Jugut tha se do të përgjigjet "shumë herë më fuqishëm" ndaj çdo provokimi nga Veriu. Dy Koretë janë ndarë që nga përfundimi i Luftës Koreane në 1953.
Ato nuk kanë nënshkruar traktat të paqes, prandaj teknikisht janë në luftë qysh atëherë.
Në një fjalim të mbajtur para Asamblesë Supreme Popullore – parlamentin verikorean – Kim ka thënë se Kushtetuta duhet të ndërrohet për t’i edukuar verikoreanët që Koreja e Jugut është “armik kryesor”.
Ai ka thënë që nëse shpërthen lufta në Gadishullin Korean, Kushtetuta e shtetit duhet të reflektojë çështjen e “pushtimit”, dhe “inkorporimit” të Koresë së Jugut në territorin e vet.
Kim – i cili e ka zëvendësuar babanë e tij, Kim Jong-il, si lider verikorean më 2011 – ka thënë se Koreja e Veriut “nuk dëshiron luftë, mirëpo nuk synon ta shmangë atë”, sipas medias shtetërore.
Në një raport të publikuar javën e kaluar për North 38 – organizatë me bazë në Shtetet e Bashkuara, me fokus në Korenë e Veriut – ish-zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit, Robert Carlin, dhe shkencëtari bërthamor Siegfried S Hecker, kanë thënë se situata në Gadishullin Korean është “më e rrezikshme se kurrë më parë”.
Përshtati A. Mënala/ Liberale.al