Ishte pikërisht telefoni i markës iPhone që ndihmoi hetuesit të zbardhnin rastin e një përdhunimi dhe që gjykata mbi bazën e kësaj prove, të ndëshkonte autorin e dyshuar.
Gjykata e Apelit të Kretës në Greqi ka dënuar me formë të prerë me 11 vite dhe 3 muaj burg një 48-vjeçar shqiptar, baba i katër fëmijëve, pasi u shpall fajtor për vjedhje, përdhunim, madje edhe dhunë ndaj punonjësve të policisë, përveç hyrjes së paligjshme në vend.
I pandehuri banues në Chania, i ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij, përveç vjedhjes, por nuk e ka bindur dot gjykatën, edhe për shkak të disa provave të reja të siguruara nga Prokuroria. Gjykata vendosi gjithashtu që vuajtja e dënimit të bëhet në qelitë e burgut të Grevenës, aty ku dhe ai mbahej që nga arrestimi i tij, në vitin 2021.
Çështja nisi të zbërthehej më 17 gusht 2021, kur një çift turistësh irlandezë kishin shkuar në plazhin e Platanias për të notuar gjatë natës. Por pasi dolën nga deti, pak pas orës 01:00, ata zbuluan se i kishin vjedhur nga çanta një iPhone, një portofol dhe një orë me vlerë 500 euro.
Duke përdorur iPhone tjetër, të cilin vajza e kishte në vete, u aktivizua aplikacioni i gjurmimit dhe në një vend aty pranë çifti ka pikasur të pandehurin së bashku me një bashkëpunëtor tjetër që mbante telefonin, ndërsa më pas iu gjet edhe ora.
Kjo zbuloi më tej se 48-vjeçari kishte marrë pjesë edhe në përdhunimin në grup të një turisteje suedeze pak ditë para se të vidhte telefonin, ngjarje e ndodhur më 11 gusht të atij viti, pak para orës 01:00, sërish në plazhin e Platanias.
Në seancën, e cila zgjati përafërsisht 4 orë, u lexuan deklaratat e dëshmitarëve, ndërsa dy policë dëshmuan në proces për detajet.