Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, kjo është kriza më e rëndë për sigurinë e Perëndimit dhe që do të zgjasë. Siç e thotë nje ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, “Trumpizmi do të mbijetojë pas presidencës së tij”. Por, cilat shtete janë të gatshme të dalin në skenë kur SHBA-të të tërhiqen?
Mëngjesin e shkurtit të vitit 1947, rreth orës 09:00, ambasadori britanik në Uashington, Lord Inverchapel, hyri në Departamentin e Shtetit për t’i dorëzuar Sekretarit të Shtetit, George Marshall, dy mesazhe diplomatike, të shtypura në letër blu, kjo për të theksuar rëndësinë e tyre: e para, fliste për Greqinë dhe e dytë, për Turqinë.
Të lodhur, të varfër dhe të mbingarkuar me borxhe ndaj Shteteve të Bashkuara, Britania i tha SHBA-ve se nuk mund të vazhdonte më të mbështeste forcat e qeverisë greke që po luftonin kundër një kryengritje komuniste të armatosur. Britania kishte deklaruar idenë për t’u tërhequr nga Palestina dhe India, duke zvogëluar edhe prezencën e saj në Egjipt.
Shtetet e Bashkuara e kuptuan menjëherë se tashmë ekzistonte një rrezik real që Greqia të binte nën kontrollin komunist dhe, nga ana tjetër, nën kontrollin sovjetik. Nëse Greqia do të binte, SHBA-të druheshin se Turqia mund të ishte stacioni tjetër, duke i dhënë Moskës kontroll mbi Mesdheun Lindor, përfshirë këtu edhe Kanalin e Suezit, që ishte një rrugë shumë e rëndësishme tregtare për botën.
Brenda një kohe shumë të shkurtër, Shtetet e Bashkuara morën përsipër të mbushnin gropën që Britania po linte pas.
“Përparësia e Shteteve të Bashkuara”, shpalli Presidenti Harry Truman, “duhet të jetë të mbështesë popujt e lirë që po kundërshtojnë nënshtrimin e mundshëm nga pakica të armatosura ose nga presioni i jashtëm”.
Kjo ishte fillimi i asaj që u bë e njohur si Doktrina Truman. Në thelb të saj ishte ideja se ndihma për mbrojtjen e demokracisë në botë ishte e domosdoshme për interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Pas kësaj, erdhën dy iniciativa të mëdha nga SHBA: Plani Marshall, një paketë e madhe ndihme për rindërtimin e ekonomive të shkatërruara të Europës dhe krijimi i NATO-s në vitin 1949, e cila u krijua për të mbrojtur demokracinë nga Bashkimi Sovjetik që kishte zgjeruar kontrollin e tij në pjesën lindore të Europës.
Është shumë i rëndësishëm ky moment, pasi shënon kalimin e udhëheqjes së botës perëndimore nga Britania e Madhe tek Shtetet e Bashkuara. Më saktë, ky ishte momenti që shpalli shtetin lider të kësaj bote.
Shtetet e Bashkuara, tradicionalisht izolacioniste dhe të sigurta për shkak edhe të dy oqeanëve të mëdha, dolën nga Lufta e Dytë Botërore si udhëheqëse të botës së lirë. Ndërkohë që Amerika po shtrinte fuqinë e saj në mbarë botën, ajo u përpoq me vite pas luftës, që pjesa tjetër e botës të kishte imazhin e saj.
Gjenerata e baby-boomers-ave u rrit në një botë që dukej, tingëllonte dhe sillej më shumë se kurrë më parë me shijet që kishin kultivuar Shtetet e Bashkuara. Kjo gjeneratë brezash ishte hegjemonia kulturore, ekonomike dhe ushtarake e botës perëndimore.
Megjithatë, parimet themelore mbi të cilat Shtetet e Bashkuara kanë bazuar ambiciet e tyre gjeostrategjike, tani duken, se janë gati për t’u ndryshuar.
Donald Trump është presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara që nga Lufta e Dytë Botërore që po sfidon rolin e vendit të tij që ka vendosur përgjatë disa dhjetëvjeçarëve dhe, ai po e bën këtë në një mënyrë, që për shumëkënd, duket se rendi i vjetër botëtor ka përfunduar dhe rendi i ri botëror ende nuk ka marrë formë.
Pyetja është se cilat shtete do dalin tani në ballë? Dhe, me sigurinë e Europës nën presion të madh, a do munden liderët e saj, të cilët po mundohen me çdo kusht të gjejnë një zgjidhje, të zbulojnë një rrugë që mund t’u ngjallë shpresë?
NATO dhe siguria europiane në rrezik
Që nga viti 1949, siguria e Europës ka qenë e mbështetur në Nenin 5 të NATO-s, që thotë se një sulm kundër një anëtari është sulm ndaj të gjithëve. Por tani, disa zyrtarë europianë shqetësohen se kjo garanci është në pikëpyetje.
Ish-sekretari britanik i mbrojtjes, Ben Wallace, tha: “Neni 5 është në gjendje kritike. Nëse Europa nuk investon në mbrojtje, do të jetë fundi i NATO-s që njohim.”
Ndërkohë, sondazhet tregojnë se një shumicë e madhe në Francë dhe Danimarkë nuk e shohin më SHBA-në si aleate. Analistët besojnë se dëmi që Trump i ka bërë NATO-s është i parikuperueshëm.
A ka nisur “fragmentarizimi” i Perëndimit?
Ky është një zhvillim pozitiv për Vladimir Putinin. Moska ka pasur prej kohësh qëllimin e destabilizimit të Europës dhe dobësimit të NATO-s. Ndërsa përçarjet mes SHBA-së dhe Europës shtohen, Kremlini e sheh këtë si një fitore strategjike.
Problemi më i madh për Europën është si të mbrohet pa mbështetjen amerikane. Prej dekadash, shumica e vendeve europiane kanë ulur ndjeshëm shpenzimet ushtarake. Britania, për shembull, ka shkurtuar buxhetin e mbrojtjes me 70% që nga Lufta e Ftohtë.
Disa liderë, si kancelari i ardhshëm gjerman Friedrich Merz, po kërkojnë që Evropa të ndërtojë një industri të mbrojtjes të pavarur nga SHBA. Por një projekt i tillë do të përballet me ndasi të thella brenda Evropës.
A është ky fundi i rendit botëror të pas Luftës së Ftohtë?
Me qëndrimin e tij, Trump duket se dëshiron të shkatërrojë sistemin ndërkombëtar të bazuar në ligjet dhe sovranitetin e vendeve të vogla. Ai dhe Putin ndajnë një vizion të botës ku fuqitë e mëdha imponojnë vullnetin e tyre mbi të dobëtit.
Por çfarë do të ndodhë nëse një vend i NATO-s sulmohet? Askush nuk e di me siguri se çfarë do të bënte Trump. Por një gjë është e qartë: Europa nuk mund të mbështetet më verbërisht te SHBA-ja.
Sfida kryesore tani është të ruhet uniteti, të investohet në mbrojtje dhe të shmanget varësia nga ndonjë fuqi e madhe. Sepse për herë të parë në pothuajse 80 vjet, Europa mund të mbetet e vetme përballë kërcënimeve globale./Përshtati Liberale.al
Marrë me shkurtime nga BBC