Meta Platforms e Mark Zuckerberg po riorganizon rrënjësisht ekipin e saj të Inteligjencës Artificiale, me qëllim zhvillimin e “superinteligjencës”, domethënë, sistemeve që mund të kryejnë detyra po aq mirë ose më mirë se njerëzit. Vetë Zuckerberg i informoi punonjësit në një memo të brendshme, duke njoftuar krijimin e Meta Superinteligence Labs (MSL).
Në krye të organizatës së re është Alexandr Wang, themeluesi i Scale AI, të cilin Zuckerberg e përshkroi si “themeluesin më mbresëlënës të gjeneratës së tij”. Wang do të marrë përsipër detyrën e Drejtorit të IA-së, ndërsa Nat Friedman, ish-CEO i Github, do të jetë pranë tij për të drejtuar produktet e IA-së dhe kërkimin e aplikuar.
“Ndërsa përparimet e inteligjencës artificiale përshpejtohen, zhvillimi i superinteligjencës po hyn në fushën tonë të vizionit”, tha Zuckerberg, duke folur për fillimin e një epoke të re për njerëzimin. Siç sqaroi ai, Meta është gati të shpenzojë “qindra miliarda” dollarë për infrastrukturë, kërkime dhe blerje të reja në vitet e ardhshme. Në të njëjtën kohë, ai paralajmëroi se shumë kompani mund të tejkalojnë limitin e shpenzimeve, për të… hipur në valën e Inteligjencës Artificiale.
Njësia e re MSL do të integrojë grupet ekzistuese që punojnë në modele të mëdha gjuhësore dhe Kërkimin Themelor të IA-së (FAIR), ndërsa një laborator i ri po krijohet gjithashtu për gjeneratën e ardhshme të modeleve. Meta kohët e fundit investoi 14.3 miliardë dollarë në Scale AI, është në bisedime me kompani si Perplexity AI dhe Runway AI, dhe po përgatitet të blejë PlayAI, e cila zhvillon aplikacione të IA-së me zë. Aksionet e Meta arritën një rekord historik prej 747.90 dollarësh.