BE

Planet e mëdha të Macron për zhvillimin e inteligjencës artificiale

Shkruar nga Liberale

Planet e mëdha të Macron për zhvillimin e inteligjencës

Në një intervistë në televizionin kombëtar “Francë 2” të dielën, presidenti francez Emmanuel Macron, foli për një sërë investimesh dhe iniciativash që synojnë ta bëjnë Francën më konkurruese me zhvillimin e një softueri të bazuar në inteligjencën artificiale.

Në veçanti, ai tha se një grup investitorësh privatë francezë dhe të huaj kanë premtuar të investojnë 109 miliardë euro në këtë sektor përgjatë viteve të ardhshme dhe veçanërisht në infrastrukturë. Franca prej kohësh ka qenë një nga vendet e përqendruara në zhvillimin e inteligjencës artificiale, por endet mbetet shumë pas vendeve si Shtetet e Bashkuara dhe Kina, ku ndodhet pjesa dërrmuese e kompanive aktive dhe inovative të teknologjisë në këtë sektor, e për pasojë edhe investimet.

Për shembull, kohët e fundit, OpenAl dhe SoftBank thanë se planifikojnë të mbledhin 500 miliardë dollarë gjatë katër viteve të ardhshme për të financuar Stargate, një projekt të ri infrastrukturor me bazë në SHBA, për të mbështetur zhvillimin e inteligjencës artificiale në të gjitha industritë.

Google, Amazon, Microsoft dhe Meta (të gjitha kompanitë amerikane) këtë vit pritet të shpenzojnë rreth 300 miliardë dollarë, vetëm në projekte të lidhura me AI. Gjithashtu, edhe Kina po mendon të zgjerojë investimet në këtë sektor, veçanërisht pas përhapjes së DeepSeek, një softuer shumë i ngjashëm me ChatGPT, i cili kërkon më pak fuqi kompjuterike dhe shumë më pak para për t’u zhvilluar.

Në këtë kontekst, Europa është shumë mbrapa, mbi të gjitha, për shkak të mungesës së investimeve dhe infrastrukturës. Në intervistë, Macron tha gjithashtu se qeveria ka identifikuar 35 site që mund të ruajnë sasi të mëdha informacioni në Francë, duke shtruar se fondi kanadez i investimeve Brookfield ka thënë se dëshiron të investojë 20 miliardë euro për të ndërtuar një qendër të dhënash në Cambrai, në Francën veriore. Së fundi, i kërkoi audiencës të shkarkojë dhe të provojë Le Chat, një softuer i ngjashëm me ChatGPT, i krijuar nga startup-i francez Mistral.

Kjo intervistë ishte e lidhur me Samitin Ndërkombëtar për Inteligjencën Artificiale që do të mbahet në Paris më 10-11 shkurt, organizuar nga qeveria franceze. Në samit, marrin pjesë, kryeministri indian Narendra Mondi, zv/presidenti i SHBA-së, JD Vance, zv/kryeministri kinez, Zhang Guoqing dhe Sam Altman, themelues i OpenAI, kompania që zotëron ChatGPT. Sipas Macron, një deklaratë e përbashkët do të publikohet në fund të dy ditëve, duke përfshirë përcaktimin e “parimeve të forta në lidhje me respektimin e të drejtave, mjedisit dhe pronës intelektuale”.

Që nga fushata e tij e parë zgjedhore, Macron ka argumentuar se Franca duhet të fokusohet në inovacionin dhe tërheqjen e investimeve në sektorin e teknologjisë, veçanërisht për të parandaluar që vendi të bëhet tepër i varur nga teknologjitë dhe shërbimet e zhvilluara diku tjetër. Vitet e fundit, në Francë janë krijuar katër institute ndërdisiplinore që fokuesohen në studimin, aplikimin dhe zhvillimin e softuerit të bazuar në inteligjencën artificiale. Macron tha se në vitet që do vinë, Franca duhet të përgatisë 100 mijë persona që të jenë të aftë për të punuar në këtë sektor.

Macron theksoi se inteligjenca artificiale nuk duhet të përdoret vetëm me qëllimin për të prodhuar imazhe qesharake, por të zhvillohet dhe të përdoret për të çuar përpara studimet në fusha të caktuara të shkencës dhe zhvillimit shoqëror. “Franca dhe Europa duhet të jenë zemra e këtij revolucioni, për të kapur të gjitha shanset dhe për të promovuar gjithashtu parimet në të cilat besojmë”, tha ai./Përgatiti Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH