Një javë para zgjedhjeve të përgjithshme në Gjermani, mijëra qytetarë, iu bashkuan një proteste në Berlin, kundër të djathtës ekstreme.
Policia tha se rreth 30 mijë persona morën pjesë në protestë, ndërsa organizatorët deklaruan se numri i protestuesve kapi shifrën 38 mijë.
Shumë prej tyre mbanin në duar pankarta dhe slogane që denonconin Alternativën për Gjermaninë (AFD), të ekstremit të djathtë, e cila sipas sondazheve, mund të radhitet në vend të dytë, në zgjedhjet e përgjithshme, që pritet të mbahen ditën e dielë.
Një prej protestuesve, i quajtur Robert Porth, 32 vjeç, i cili punon në kompaninë hekurudhore të Deutsche Bahn, tha se ishte “i frikësuar nga zhvillimet aktuale politike në Gjermani”.
Ai iu bashkua kësaj proteste me logjikën se “nëse nuk e kundërshton sot, do të pendohej nesër për një mosveprim të tillë”.
Një grua, 71-vjeçare, e quajtur Hannelore Reiner, deklaroi se po vinte re “shumë paralele me vitin 1933, me periudhën e paraluftës, atëherë kur fashizmi i Hitlerit erdhi në pushtet”.
“Shumë deklarata më kujtojnë atë periudhë. Debatet e asaj kohe, përjashtimi dhe antisemitizmi më kanë ngjallur ankthin se historia mund të përsëritet”, tha ajo.
Aleanca CDU-CSU e ish-kancelares Angela Merkel pritet të dalë partia më e madhe në zgjedhje, me AFD-në në vend të dytë.
Partia e cila deklaron veten kundër emigracionit në sondazhe rezulton në rritje, veçanërisht në muajt e fundit, duke pritur të shënojë një rezultat rekord, prej rreth 20 për qind të votave.
Ringjallja e AFD-së, e ndihmuar nga mbështetja e SHBA-së, e veçanërisht nga miliarderi i teknologjisë Elon Musk, ka alarmuar kritikët e saj, me disa protesta që ngjallën vëmendjen e shumë qytetarëve përgjatë javëve të fundit.
Pothuajse 250 mijë persona iu bashkuan protestës kundër të djathtës ekstreme në Mynih fundjavën e kaluar, shoqëruar me një protestë të ngjashme në Berlin, një javë përpara mbledhjes së rreth 160 mijë personave./ Liberale.al/