
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk deklaroi të premten se po punohet që të gjithë burrat polakë të kryejnë stërvitje ushtarake. Në një fjalim në parlament, Tusk tha se qeveria do t’i bëjë publike detajet e plota në muajt në vijim.
Kryeministri polak theksoi se po bëhen përpjekje që të përgatitet një stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë për çdo mashkull të rritur në Poloni.
“Do të përpiqemi që deri në fund të vitit të kemi një model gati që çdo mashkull në Poloni të trajnohet në rast lufte, në mënyrë që kjo rezervë të jetë e krahasueshme dhe e përshtatshme kundër kërcënimeve të mundshme”, tha ai.
Tusk tha se Ukraina ka 800 mijë ushtarë, ndërsa Rusia rreth 1.3 milionë. Kryeministri theksoi se dëshiron që të rrisë ushtrinë polake, duke përfshirë edhe rezervistët në 500 mijë nga 200 mijë që ka aktualisht.
“Po flasim për nevojën që të kemi një ushtri prej gjysmë milioni në Poloni, duke përfshirë edhe rezervistët. Nëse organizohemi me zgjuarsi dhe po flas vazhdimisht me ministrin e Mbrojtjes, ne do të na duhet të përdorim disa drejtime të ndryshme për të vepruar. Kjo do të thotë se rezervistët, por edhe ata që nuk shkojnë në ushtri të plotë të bëjnë stërvitje intensive”, tha Tusk.
Sipas kryeministrit polak edhe femrat mund të futen në stërvitje ushtarake, por lufta “është ende në një shkallë të gjerë zonë për burrat”. Tusk ndër të tjera tha se po shikojnë me kujdes propozimin e Francës për ta përfshirë Europën nën ombrellën e saj bërthamore.
“Dua të di fillimisht në detaje çfarë do të thotë kjo në kuptimin e autoritetit që do të jetë mbi këto armë”, tha ai.
Kujtojmë se Polonia ka planifikuar të shpenzojë 4.7% të ekonomisë së saj në mbrojtje këtë vit, proporcioni më i lartë në aleancën e NATO-s. Tusk u tregua i qartë para parlamentit ku tha se këto shpenzime duhet të rriten në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Që prej nisjes së luftës, Policia ka shtuar shpenzimet në mbrojtje. Polonia është fqinje me Ukrainën. Ajo ka nënshkruar kontrata me vlerë 20 miliardë Dollarë për të blerë tanqe, avionë, helikopterë, raketa dhe sisteme raketash me Shtetet e Bashkuara. Po ashtu, ka nënshkruar kontrata me Korenë e Jugut për të blerë gjithathtu tanqe dhe avionë luftarakë.
Mes polakëve ka shqetësim në rritje në lidhje me sigurinë e tyre pas vendimit të presidentit amerikan Trump për pezulluar ndihmën ushtarake në Ukrainë. Shumica e polakëve besojnë se mbështetja për Ukrainën është në interesat e tyre të sigurisë.
Por frika për një luftë vijon. Miroslaw Kaznowski, nënkryetari i bashkisë së Milkanowsk i tha BBC News se një mik i tij vendosi të investojë në një kompani për të ndërtuar strehimore për bombardime për bizneset dhe shtëpitë. Interesi është shumë i lartë, ka treguar ai./Liberale.al/