Aktualitet

Basha: Shqetësimi i Presidentit ka qenë…

Shkruar nga Liberale
Basha: Shqetësimi i Presidentit ka qenë…

Ndërsa ka komentuar raportin e Komisionit të Venecias, kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se shqetësimi i Presidentit ka qenë zgjidhja e krizës.

Nga studio e “Kjo Javë”, Basha u shpreh se ata nuk mund të bien dakord me shumë prej pikëpamjeve të Presidentit, por theksoi se “shqetësimi i tij kryesor ishte të shmangte atë që po projektonte Edi Rama dhe bandat e interesuara në gjendje politike konflikti që ishte konflikti civil me pasoja të rënda për vendin”.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Dua t’ju pyes pak edhe për presidentin, z.Meta, lidhur me opinionin e Komisionit të Venecias është komentuar se presidenti nuk mund të shkarkohet. Nga ana tjetër maxhoranca thotë se janë legjitimuar zgjedhjet e 30 qershorit. Ju si e shihni këtë raport z.Basha?

Lulzim Basha: Është e qartë se zgjedhjet e 30 qershorit, votimet e 30 qershorit kanë rënë. OSBE/ODIHR –i është trupa përgjegjëse për gjykime të çdo procesi zgjedhor apo kuazi zgjedhor siç ishte ai i 30 qershorit. Që kanë rënë këtë e kupton çdo shqiptar; janë bërë pa konkurrencë, janë bërë pa dekret presidencial dhe edhe pse pa konkurrencë janë masakruar në çdo hap që nga përgatitja, tek pseudofushata, tek dita e votimit, tek numërimi apo masakra me numërimin e votave, gjithçka ishte një proces farsë. Pra, 30 qershori është një proces i rënë moralisht, politikisht, është i rënë nga ana kushtetuese. Ndërsa sa i përket rolit të presidentit, shqetësimi i presidentit prej fillimit ka qenë zgjidhja e krizës. Natyrisht, ne nuk mund të biem dakord me shumë prej pikëpamjeve të presidentit për sa i përket ngjarjeve dhe si janë zhvilluar këto ngjarje. Por nuk mund të mohoj për asnjë çast se shqetësimi i tij kryesor të shmangte atë që po projektonte Edi Rama dhe bandat e interesuara në gjendje politike konflikti që ishte konflikti civil me pasoja të rënda për vendin. Dhe këtu besoj se jo vetëm opozita dhe qytetarët, por edhe historia do ta vlerësojë vendimin e presidentit për të shmangur këto skenarë potencialisht gjakderdhje dhe vëllavrasje me njerëz që ishin të gatshëm që për hir të pushtetit të çonin në konfrontim me pasojë humbjen e jetës së dhjetëra, qindra qytetarëve. Jam i lumtur që si kryetar i opozitës kam marrë vendimin e duhur bashkë me popullin për të mos shkuar, për të mos rënë pre e këtij skenari dhune të përgatitur nga të njëjtat banda kriminale që përgatitën dhe ekzekutuan vjedhjen e zgjedhjeve të 2017-ës apo masakrën elektorale të Dibrës. Dhe falë këtij qëndrimi sot kemi ndërgjegjësim të faktorit ndërkombëtar që për zgjidhjen e krizës shqiptare kemi dy realitete përballë njëri tjetrit; një qeveri të kapur disa herë duke vjedhur zgjedhjet me krimin e organizuar, duke bashkëpunuar me kriminelët, që nuk ndahet dot nga Dakot dhe nga Doshët, e nga Avdylajt, e një opozitë që ka qëndruar fuqimisht për parimet, vlerat, standardet europiane: Zgjedhje të lira dhe të ndershme, shtet të së drejtës, që do të thotë barazi e qytetarëve para ligjit nga presidenti, kryeministri, te ministrat e tek qytetari më i thjeshtë dhe garantimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut që janë baza, janë themelet e një shoqërie të përparuar europiane. Nga ato shoqëri që unë kam patur fatin t’i njoh në rininë time, ku shqiptarët shpeshherë shkojnë edhe pa e ditur gjuhën por ja dalin të ndërtojnë jetën e tyre, të ndërtojnë jetën e fëmijëve të tyre, të shkëlqejnë, të bëhen shkencëtarë, artistë, këngëtarë. Pra, që provon se në qoftë se ne ndërtojmë këtë realitet në vendin tonë asgjë nuk na pengon ta lëmë pas këtë kohë të hidhur për Shqipërinë dhe ti japim këtij vendi të bukur dhe të bekuar nga Zoti të ardhmen europiane që meriton për veten e tij dhe për fëmijët shqiptarë.

Pyetje: Z. Basha një pyetje që lind natyrshëm, ndoshta edhe kuriozitet. Nëse do të ishte një prej kushteve të Bashkimit Europian një marrëveshje për të zgjidhur krizën, do të arrinte ta hidhte si hap Partia Demokratike?

Lulzim Basha: Nuk ka dyshim që zgjidhja e krizës kërkon vetëdijësim të të dyja palëve. Dhe kjo është arsyeja pse PD dhe opozita e bashkuar kanë hedhur një hap aktiv që nuk na takonte ne, i takonte qeverisë, se ajo është shkaktarja e krizës, i takonte kryeministrit, se ai është shkaktari për dështimin e katërt për moshapjen e negociatave. Por ne nuk mund të lëmë vendin, as shqiptarët peng të një njeriu që premton, dështon dhe pastaj mashtron dhe mundohet ta hedhë fajin diku tjetër. Prandaj kemi hedhur këtë hap, kemi këtë plan për daljen nga kriza që mishërohet edhe me 9 kushtet e Bundestagut. Kemi një propozim për reformën zgjedhore dhe tani është koha që t’i lëmë llafet dhe të fokusohemi jo për hir të partive tona apo për hir të karrigeve tona, por për hir të Shqipërisë, të vendosim Shqipërinë të parën, të vendosim shqiptarët të parët dhe t’i hapim rrugë zgjidhjes së krizës politike me zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe vendore në të njëjtën kohë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH