Kryesore

Asgjë e re nga Kolegji Zgjedhor

               Publikuar në : 10:15 - 01/06/21 liberale

Pasi ka refuzuar administrimin e 19 provave shtesë, Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesën e PD dhe LSI për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në qarkun e Gjirokastrës. Pasi ka shqyrtuar ankimimet e të dy forcave politike, KAS i ka transferuar drejt Kolegjit. Ky i fundit mblidhet sot për të marrë një vendim rreth qarkut të Vlorës. Kreu i PD-së ka theksuar se beteja për të faktuar masakrën e 25 prillit  do të vijojë. Pas rrugës administrative vjen ajo penale, me kallëzimet në prokurori. Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë ndryshim të tablosë së rezultatit të zgjedhjeve

Ndërsa Kolegji Zgjedhor rrëzonte dje kërkesën e Partisë Demokratike dhe LSI-së për pavlefshmëri të zgjedhjeve në qarkun e Gjirokastrës, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve transferonte drejt tij ankesat e dy forcave politike për nëntë qarqe të vendit.

Pak ditë pas zgjedhjeve, përfaqësuesi i selisë blu dorëzoi pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhjetë dosje voluminoze me pretendimin e materialeve që dëshmonin manipulim të procesit zgjedhor dhe shitblerje të votës më 25 prill.

PD kërkonte pavlefshmërinë e zgjedhjeve në nëntë nga dymbëdhjetë qarqet e vendit dhe përsëritjen e tyre.

Por ndërsa çështja përfundoi në KAS, ky i fundit nisi të shqyrtojë kryesisht ankesat e Lëvizjes Socialiste për parregullsi në disa qarqe, duke hapur edhe disa kuti ku pretendohej për manipulim. Rinumërimi nuk solli ndryshim të rezultatit, ndërsa kërkesat e PD-së për paraqitjen e provave shtesë u rrëzuan.

Edhe Kolegji Zgjedhor, ashtu si KAS më parë, nuk pranoi marrjen e provave shtesë për Gjirokastrën, duke rrëzuar kërkesën e PD-së për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve atje.

Sipas Sekretarit për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso, ky vendim ishte parathënë pasi Kolegji refuzoi kërkesën e demokratëve për administrimin e 19 provave shtesë.

“Janë prova të cilat janë në disponim të institucioneve të administratës shtetërore, të cilat faktojnë, nëse do administrohen dhe do të shpalosen përpara shqiptarëve, sjelljen e paligjshme të organeve të administratës, të gjithë institucioneve të shtetit që në periudhën përgatitore të procesit zgjedhor u vunë në dispozicion të plotë të interesave elektoralë të partisë në pushtet”, u shpreh dje para mediave Kaso, ndërsa PD ka depozituar më shumë se 100 kallëzime nëpër prokuroritë e rretheve, si edhe në SPAK për krime zgjedhore.

Kaso siguroi se do të dalin prova dhe fakte të reja në lidhje me krimet zgjedhore, ndërsa shtoi se PD nuk do të heqë dorë  nga kërkesa për transparencë . Ai citoi raportin paraprak të ODIHR-it, duke theksuar se ky proces zgjedhor u ndikua më shumë nga interesat e maxhorancës.  Drejtuesja e këtij misioni, Urszula Gacek do të vërente se përtej shitblerjes së votës, një shqetësim tjetër ishte mosndarja e qartë e kufijve mes partisë në pushtet dhe shtetit, si edhe keqpërdorja e administratës publike.

Ndërsa sot Kolegji do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesat e PD dhe LSI në qarkun e Vlorës, Kaso ka bërë të ditur se PD do ta vijojë të ashtuquajturën betejë për të dëshmuar masakrën zgjedhore të 25prillit.

“Beteja për transparencë është një betejë shumëplanëshe, nuk ka lidhje thjesht dhe vetëm me rezultatin zgjedhor”, ka thënë ai, duke sqaruar se përtej planit administrativ në KQZ dhe KAS do të vijohet në atë penal.

“… në një sërë kallëzimesh penale të cilat janë ende sot, nga sa kemi ne informacion, objekt shqyrtimi i SPAK por edhe të prokurorive të rretheve, mund të zhvillohet në rrafshe të tjera kushtetuese, dhe në atë të të drejtave të njeriut, pasi shkeljet që kemi ngritur në kërkesën tonë për pavlefshmëri, janë shkelje shumëplanëshe”, ka thënë Kaso me bindjen se autorët e asaj që demokratët quajnë masakër zgjedhore do të vihen para gjykimit.

Pas refuzimit të kërkesave të demokratëve për qarkun e Fierit dhe të Korçës, nënkryetari demokrat Edmond Spaho tha se selia blu do të vijojë betejën deri në drejtësi të plotë të 25 prillit.

“Shërbëtorët e Edi Ramës në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve i mbyllën sytë para të vërtetës për të mbrojtur pushtetin e vjedhur të regjimit Rama-Doshi”, ka akuzuar Spaho.

Edhe kreu i PD-së,Lulzim Basha ka akuzuar më herët se autorët e masakrës zgjedhore janë kryeministri Rama, ish-aleati i tij Tom Doshi e ish-deputeti i PDIU Aqif Rakipi.

Në turin e tij elektoral për zgjedhjet e brendshme në PD, Basha ka theksuar se 25 prilli ishte masakër elektorale dhe ka premtuar se beteja do të vijojë.

Edhe dje nga Lezha, kryedemokrati tha se më 25 prill u ndal shpresa e shqiptarëve për ndryshim.

Edhe njëherë Basha renditi arritjet e vendit nën qeverisjen e demokratëve si anëtarësimi në NATO apo lëvizja e lirë në zonën Schengen, ndërsa e ka krahasuar këtë garë elektorale me atë të vitit 1991.

Basha ka folur rreth epërsisë morale që demokratët kishin, të vetëdijshëm që po hynin në zgjedhje, përballë asaj që e ka cilësuar si makineri të shitblerjes së votës.

Kreu i PD-së, i cili kërkon një tjetër mandat në drejti të partisë, e sheh 13 qershorin si hap të parë të betejës së demokratëve për demokraci.

“Një garë e cila është vendosur në një moment kur po zhvillohet një betejë tjetër, që i paraprin një tjetër beteje që na pret. Beteja e faktimit tashmë institucional përkundër vullnetit të mbrapshtë të KQZ-së së kapur dhe diktuar politikisht dhe të urdhëruar për të mos bërë transparencë, përkundër asaj që mund të ndodhë me Kolegjin Zgjedhor…”, është shprehur Basha.

Ai tha se pavarësisht se zgjedhjet ishin ende në  proces numërimi, debati i brendshëm nisi menjëherë dhe vendimi i Kryesisë dhe i Këshillit Kombëtar ishte unanim.

Kreu i PD-së tha se beteja e demokratëve – pavarësisht garës dhe debatit të brendshëm – është me kryeministrin Rama.

“Kundër tij, kundër regjimit të tij, armik të Shqipërisë, armik të demokracisë, është misioni që na kanë ngarkuar shqiptarët dhe që ne do ta çojmë deri në fund”, ishte mesazhi i Bashës për lezhjanët.

Ndaj vendimit të KAS, i cili rrëzoi kërkesën e LSI për  ripërsëritje të zgjedhjeve në qarqet e Korçës dhe Elbasanit, ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Endrit Braimllari.

Ai e cilësoi  KAS-in një organizatë politike të Rilindjes, pasi sipas tij, nuk vlerëson asnjë fakt nga masakra zgjedhore e 25 prillit.

Po dje, presidenti Meta iu kthye edhe njëherë skandalit me publikimin e të dhënave të 910 mijë votuesve të qarkut të Tiranës, pas një artikulli të botuar në “Le Figaro”.

“Skandali i vjedhjes së të dhënave personale të rreth 910 mijë qytetarëve të Tiranës nga Regjistri Publik Shtetëror dhe keqpërdorimi i tyre në funksion të zgjedhjeve të 25 prillit, duke u përdorur si mjet shantazhi, intimitidimi dhe presioni për të siguruar votën dhe mbështetjen, meriton një hetim të thellë dhe të gjithanshëm”, bëri thirrje presidenti Meta,  ndaj të cilit pritet të votohet në Kuvend raporti hetimor për shkarkim.

Ndërsa PD dhe LSI kanë ndjekur deri më tani rrugën institucionale për të kundërshtuar rezultatin përfunditmar të zgjedhjeve të 25 prillit, deri më tani nuk ka pasur asnjë ndryshim të rezultatit, ndonëse në disa kuti votimi në qarkun e Gjirokastrës dhe të Beratit u dyshua për parregullsi, në sistemin e identifikimit elektronik dhe shenjat e gishtërinjve.

Kaso do të thoshte se hapat e tjerë janë kallëzimet penale në prokuroritë e rretheve dhe SPAK. Prokuroria  e Posaccme përmes kreut të saj ka bërë të ditur se po hetohen krimet zgjedhore, ndërsa ambasadorja amerikane ka bërë thirrje për t’i hetuar me moton se askush nuk është mbi ligjin. Por në fund të kësaj beteje, që deri më tani nuk po shënon asnjë pikë revanshi për opozitën,  Basha ka bërë të ditur se nuk e përjashton arenën e Parlamentit në betejën për demokraci…

Vendimi për Korçën dhe Elbasanin,  LSI: KAS, organizatë politike e Rilindjes!

Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari, reagon pas vendimit të KAS për të rrëzuar kërkesën për ripërsëritje të zgjedhjeve në qarqet e Korçës dhe Elbasanit.

KAS organizate politike e Rilindjes.

Nuk vlerëson asnjë fakt nga masakra zgjedhore e 25 prillit.

Për KAS nuk mjaftojnë këto fakte:

📌Shtetas që votojnë disa herë.

📌Në kuti ka më shumë fletë votimi,  sesa votues

📌Komisionet marrin me pak fletë votimi dhe dorëzojnë më shumë.

📌Në tavolinat e numërimit votat e pavlefshme numërohen si të PS

📌 Numërues të Rilindjes që plotësojnë me stilolaps fletët e votimit për PS.

📌Kryetar bashkie të cilët emërojnë militantë në pune në kundërshtim me Kodin Zgjedhor gjatë periudhës së fushatës.

📌Komiteti politik i Rilindjes i heq të drejtën  kushtetuese të votës qytetareve shqiptare që jetojnë ne Greqi dhe Maqedoninë e Veriut dhe vetëm disa ore pas përfundimit të zgjedhjeve heq karantinën për keta qytetarë  duke favorizuar hapur Rilindjen.

📌Grupet e strukturuara kriminale intimidojnë qytetaret dhe bëhen pjese e ekipit të Rilindjes.

PD: Vijojmë betejën, derisa të bëhet drejtësi e plotë për 25 prillin!

Partia Demokratike reagon pas vendimit të KAS për të refuzuar përsëritjen e zgjedhjeve të 25 prillit në Qarkun e Korçës. Zëvendëskryetari i PD, Edmond Spaho, tha në një deklaratë për media se PD do të vijojë betejën, derisa të bëhet drejtësi e plotë për 25 prillit.

Në Korçë qytetarët panë masakrën zgjedhore shumë kohë përpara ditës së zgjedhjeve. Panë sesi çdo institucion shtetëror u vendos në shërbim të Partisë Socialiste. Njerëzit panë sesi u punësuan qindra njerëz gjatë fushatës, u dhanë qindra leje legalizimi, u shpërndanë tendera për të blerë votat, u blenë votat me para në dorë.

Këto fakte janë kallëzuar të gjitha në SPAK, por asnjë nga provat për blerjen e votës nuk u morën parasysh. Shërbëtorët e Edi Ramës në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve i mbyllën sytë para të vërtetës për të mbrojtur pushtetin e vjedhur të regjimit Rama-Doshi.

Në shkelje të ligjit, KAS refuzoi të marrë zyrtarisht provat për t’u garantuar shqiptarëve të drejtën për votën e lirë. 3 anëtarët e zgjedhur të Partisë Socialiste në KAS po u mohojnë shqiptarëve të drejtën për transparencë të zgjedhjeve të blera. KAS refuzoi të bëjë drejtësi për qytetarët e Korçës, Devollit, Pogradecit, Maliqit dhe Ersekës sepse ata duan të mbrojnë dhe të fshehin vjedhjen e zgjedhjeve nga regjimi Rama-Doshi. Në qarkun e Korçës rezultati i zgjedhjeve u deformua nga punësimet masive elektorale dhe të paligjshme, nga dhënia e paligjshme e lejeve të legalizimit dhe nga akte të tjera kundra ligjit në këmbim të votave për pushtetin e Edi Ramës. Dosja e qarkut të Korçës është e mbushur me provat tona që faktojnë vjedhjen e zgjedhjeve, por regjimi Rama-Doshi ka kapur gjithë strukturat shtetërore në vend dhe po e përdor shtetin në shërbim të pushtetit, jo të shqiptarëve. Megjithëse ka hedhur poshtë pa argument çdo kërkesë të Partisë Demokratike për përsëritjen e zgjedhjeve, KAS nuk iu përgjigj asnjëherë disa pyetjeve të thjeshta: Pse refuzoi të marrë informacion në zyrat e Kadastrës për legalizimet elektorale, në zyrat e Bashkive dhe disa agjencive qeveritarë për punësimet e paligjshme elektorale? Pse refuzoi t’u kërkojë agjencive ligjzbatuese informacion për përfshirjen e krimit në blerjen e votës. Kur e nisëm këtë betejë e dinim që institucione si KAS nuk e duan të vërtetën dhe nuk do të bëjnë drejtësi, por është detyra jonë të paraqesim të gjitha provat kudo, përfshi edhe në Kolegjin Zgjedhor, siç kemi nisur sot betejën tonë. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për të vërtetën dhe për shqiptarët!Regjimi Rama-Doshi mund ta pengojë për pak, por ai nuk është i fuqishëm ta ndalojë transparencën për masakrën zgjedhore. Transparenca dhe drejtësia për 25 Prillin do të bëhet e plotë, do apo nuk do Rama dhe veglat e tij në KAS apo kudoqoftë!

Tags: , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back