Editorial

A do kthehet aleanca ndërmjet Europës e SHBA me ardhjen e Biden-it

Shkruar nga Liberale

Nga ANGELO PANEBIANCO

Ndërsa në ekranet televizive rridhnin pamjet e mësymjes  mbi Capitol Hill ndihej shpesh  të përsëritej prej atyre që i komentonin se n’atë çast po kryhej një sulm kundër “tempullit” të demokracisë. Duke lënë mënjanë fjalët e bukura, n’ato fjalë përceptohej përveç përhumbjes përballë të pamendueshmes (sulme kundër Parlamentëve mund të priteshin në shumë vënde të botës, me përjashtim të Shteteve të Bashkuara), edhe pak a shumë një vetëdije të çoroditur mbi çfarë është me të vërtetë demokracia kur arrin në një pikë vendimtare. Demokracia është, para së gjithash e mbi të gjitha, një metodë për të zëvendësuar qeveritarët në fuqi pa dhunë e pa derdhje gjaku kur, në zgjedhje të lira, një shumicë votuesish (por shpesh bëhet fjalë për pakicën më të fuqishme) vendos t’I ndryshojë.

Demokracia “i numëron kokat në vënd që t’I presë”. Kjo e dallon nga regjimet e tjerë politikë. Jo gjithmonë arrin t’a shmangë dhunën, siç dëshmon historia e gjithë demokracive. Duke filluar nga ajo e Shteteve të Bashkuara me të gjithë episodet e dhunës politike. Megjithatë, pavarësisht nga Capitol Hill, pavarësisht nga orvatjet e Trump-it për të helmuar të gjithë puset e mundëshme para tërheqjes së pashmangëshme, duhet thënë se lajmet që qarkullojnë sot mbi krizën e demokracisë amerikane janë “ të zmadhuara në mënyrë trashanike”.

Presidenti Trump, me fjalën e tij mbi fitoren e vjedhur, jo vetëm ka shtyrë për veprim kryengritësit e Capitol Hillit. Ka kërkuar, nëpërmjet çfarëdo mjeti të ligjshëm në mundësitë e veta, përmbysjen e përfundimeve zgjedhore. Nuk ka gjetur asnjë guvernator e asnjë gjykatës të gatshëm për të përmbushur qëllimin e tij. Mjaft demokraci rreth e përqark botës janë shembur sepse kryetari i qeverisë në fuqi ka kundërshtuar dorëheqjen mbas humbjes së zgjedhjeve. Por institucionet amerikane janë tepër të qëndrueshme për t’i lejuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara atë që, në vende të tjera, institucione më të dobëta i lejojnë disa lloj kryeministrave.

Është e njohur se Trump-i, edhe se ka humbur Shtëpinë e Bardhë, ka dëshmuar se ruan një fuqi të madhe zgjedhore, se është ende një tërheqës shumë i mirë. Kanë mundur t’a vërtetojnë demokratët që kanë ruajtur shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, por duke humbur vota e deputetë.

Janë rrjeshtuar shumë herë arsyet që e bëjnë aq të turbulltë sot jetën amerikane: një rënie e theksuar e besimit të publikut kundrejt qeveritarëve, një stinë e gjatë e polarizimit politik, fuqia m’e madhe e dukshmëria më e plotë e pakicave skajore të prirjeve të ndryshme. Është kjo në fund të fundit që i dha mundësi njërit si Trump-i, katër vjet më parë të fitonte e që bën të mundur zgjedhjen, në rradhët e demokratëve të kandidatëve që po të ushtronim parametrat evropianë, mund t’i klasifikonim si skajorë të së majtës.

Megjithatë kjo nuk ka ndaluar fitoren e një qëndërsori si Joe Biden. As do të pengojë, me gjasë e me të drejtë ata parlamentarë republikanë, që kanë pësuar Trump-in gjatë këtyre viteve, duke qeshur se nuk mund të qanin, për të gjetur pragmatikisht pika takimi me Administratën demokratike, sa herë që për ta do t’ishte e leverdisëshme.

Por thuhet se Amerika është një “Vend i ndarë”, ku garuesit trajtohen si kundërshtarë (Po nuk është ashtu n’Itali?). Ndonjë herë është përshtypja se ndonjeri dënon jo vetëm dhunat por edhe ndasitë si të tilla. A thuajse është e mundur dhe e urueshme një demokraci  pa ndarje (pak a sumë të thella). Problem nuk janë ndarjet por aftësia e institucioneve për t’i mbajtur nën kontroll e për të ndaluar konfliktet – të pashmangëshme e të nevojshme – të përdhosen deri n’atë pikë sa të venë në rrezik rendin shoqëror. Pavarësisht nga episodi shumë i rëndë i Capitol Hillit apo i dhunave qytetare që kanë shkundur Amerikën në muajtë e fundit nuk duket aspak se institucionet e demokracisë së Shteteve të Bashkuara t’a kenë humbur atë aftësi.

Nëse janë të tepruara piskamat për t’ardhmen e demokracisë amerikane, kjo nuk do të thotë se nuk ka arsye të fuqishme për t’u shqetësuar për ne evropianët. Rreziku më i madh është që Biden-i megjithë përvojën dhe vullnetin e tij  të shfaqur shpesh, në rinyjëzimin e lidhjeve me Evropën, të pësojë trysninë e forcave që shtyjnë në drejtim të kundërt. Duhet të kujtojmë se e majta e Partisë demokratike është e interesuar vetëm për reforma rrënjësore shoqërore të brëndëshme dhe qëndrimet e saj ndërkombëtare (izolacioniste e proteksioniste), nëse do të mbizotëronin, do të kishin për ne pasoja po aq rrënuese sa dhe ato të shkaktuara nga Administrata Trump.

Ka arsye ai që mendon se humbja e Trump-it nuk mund të përbëjë një kthim të pastër e të thjeshtë në të shkuarën. Edhe se, sigurishht, marrëdhëniet ndërmjet Amerikës dhe Evropës do të përmirësohen, Biden-i do të mbajë parasysh faktin se publiku amerikan nuk pranon më të paguajë çmime shumë të larta për të ushqyer mbizotërimin ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara. Mbulesa do të jetë më e shkurtër se një kohë. Kjo do të thotë se investimi amerikan i kujdesit dhe i burimeve ekonomike në shemërinë me Kinën do të shpërblehet me një disponueshmëri më të pakët për të siguruar me të njëjtën fuqi e besueshmëri të së kaluarës sigurinë evropiane. Me që siguria është thelbësore për të garantuar jo vetëm paprekshmërinë fizile të qytetarëve, por dhe qëndrueshmërinë e institucioneve demokratike, në teori do të na takonte ne evropianëve të merremi me të në vitet që vijnë. Më e lehtë të thuhet se të bëhet. Dihet se sa të pabindur janë shumë evropianë, ndoshta shumica, për të zhvendosur tek mbrojtja e siguria burime të papërdorëshme e deri tani të përdorura për qëllime të tjera. Në vend të fatit të demokracisë amerikane (që, megjithatë, nuk duket se kalon rreziqe të mëdha), duhet të fillojmë të shqetësohemi për t’ardhmen e demokracive tona.

“Corriere della Sera”, 10 janar 2021

Përktheu Eugjen Merlika   /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH