Sport

90 minuta nga mbyllja, Partizani pranë titullit. Çfarë ndëshkimi pret Tirana pas katrahurës në Rrogozhinë? (Pamjet shokuese)

Shkruar nga Liberale

Ndeshjet e parafundit të Superligës sollën veç surprizave edhe incidente të rënda. Dueli i zhvilluar në “Arena Egnatia” të Rrogozhinës u shoqërua me dhunë pas zbritjes së tifozëve bardheblu në fushë, në fundin e ndeshjes. Pas fërshëllimës së gjyqtarit Kridens Meta, tifozët bardheblu të revoltuar nga gjykimi, u futën në fushë dhe dhunuan gjyqtarët.

Tanimë e gjithë vëmendja është te Disiplina në FSHF. Tirana veç titullit, si organizatore e ndeshjes, rrezikon të ndëshkohet në mesjave, pasojat e së cilës do t’i vuajë sezonin tjetër.

Një penallti e dhënë në minutën e 85 nga gjyqtari Kridens Meta dhe mos-thirrja e tij për konsultë me VAR, bëri që tifozët kryeqytetas të kalonin në vetëgjyqësi. Në pamjet e filmuara nga tribuna e stadiumit duket qartë se forcat e sigurisë dhe policisë e kanë pasur të pamundur për të përballuar situatën kaotike. Veç gjyqtarit kryesor Kridens Meta është dhunuar edhe asistenti Denis Rexha.

Forcat e sigurisë me shumë vështirësi i futën gjyqtarët në dhomat e zhveshjes. Tirana pas barazimit humbi kryesimin duke ia dorëzuar rivalit historik, Partizanit.  Për bardheblutë, ky ishte një ndëshkim i pamerituar dhe “i orkestruar” për t’i dhënë titullin Partizanit, ndaj edhe justifikohet prej tyre shpërthimi i tifozëve ndaj gjykimit.

Gjithsesi, pavarësisht kësaj, vetëgjyqësia ndaj gjykimit sidoqoftë ai, ndëshkohet rëndë në futboll. Kështu pritet dënim i sigurt për bardheblutë që ishin organizatorët e ndeshjes. Veç arbitrave, një nga tifozët e Tiranës duket që godet me grusht edhe futbollistin e Bylis, Loran.

Në futbollin shqiptar, ndër vite ka disa precedentë në lidhje me raste të ngjashme dhune. Në 2014, Bylis dhe presidenti Besnik Kapllanaj u përjashtuan nga gara pas dhunimit të delegatit Besnik Çela.

Në 2019 ishte radha e Kamzës për t'u përjashtuar nga futbolli, teksa kryesori Eldorjan Hamiti rrezikoi jetën në fushë. Rasti i fundit ishte këtë sezon në Kategorinë e Parë, me Disiplinën që përjashtoi dhe uli një kategori më poshtë Tërbunin. Edhe kjo për shkak të dhunës ndaj arbitrave. Por gjithsesi, do të jetë Disiplina ajo që do të gjykojë ngjarjen dhe një tjetër opsion është zbritja në një kategori më poshtë.

Por ajo çka e lehtëson Tiranën nga një dënim ekstrem, veç emrit të madh dhe faktit se është skuadra më e suksesshme në histori, nga të gjitha rastet e tjera, është edhe fakti që ishin tifozët ata që dolën në fushë dhe shkaktuan incidente si dhe u përfshinë disa futbollistë dhe jo drejtuesit e klubit. Presidenti Refik Halili zbriti dhe u përpoq të qetësonte situatën, ndryshe nga rastet e tjera kur drejtuesit apo futbollistët janë përfshirë në dhunë dhe vendimi ka qenë ekstrem.

Kështu, që në rastin e bardhbluve, si ndëshkim nuk përjashtohet humbja në tavolinë e Tiranës dhe dënimi i ashpër me disa ndeshje ndaj tifozerisë së saj si dhe të disa prej lojtarëve. Kujtojmë se më e rëndë ishte ngjarja në Beograd, kur luajti Shqipëria dhe ajo u ndërpre pas futjes së tifozëve në fushë, ndërsa pasojat dhe vendimin e dinë të gjithë.

Acarimi i tifozëve vjen në një moment kur Partizani dhe Tirana kryesojnë Superligën me pikë të barabarta, nga 64 secila. Por nga barazimi i fundit i bardhebluve, të kuqtë janë ngjitur në vendin e parë dhe kanë një dorë te titulli. Tirana ndeshjen e radhës e luan me Erzenin në "Niko Dovana", ndërsa Partizani pret Teutën në stadiumin e ij "Arena e Demave", të hënën në 16:00. Partizani po përgatit një atmosferë festive. /Liberale.al/

https://www.cdnimpuls.com/video/646f8f61b5917.mp4

Liberale Newsroom

Bashkia e Tiranës mbi 3 muaj pa kryetar! A duhet të shpallë qeveria zgjedhje të reja për kryeqytetin?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH