Aranit Muraçi
Historia përsëritet, herën e parë si tragjedi, dhe për së dyti si farsë, ka thënë Karl Marks. Nëse Stalini ishte tragjedia e historisë së njerëzimit, trashëgimia e tij mund të konsiderohet farse.
21 dhjetori është ditëlindja e ish-diktatorit sovjetik Stalin (1878-1953), i cili udhëhoqi Partinë Komuniste dhe Bashkimin Sovjetik, në vitet 1924-1953. Në Europën Lindore, përveç Shqipërisë, shtatoret dhe emërtesat e tij u hoqën në vitin 1956.
Stalini, një ndër udhëheqësit kryesorë të revolucionit bolshevik, pas marrjes së pushtetit përdori terrorin, si mjet për të për të konsoliduar fuqinë e tij, duke u shndërruar pas viteve ’30 në një prej diktatorëve më të egër të historisë së njerëzimit.
Kryqëzimi i njohur i kryeqytetit mori emërtimin “21 Dhjetori” gjatë periudhës komuniste. Ishin vitet e ‘dashurisë së zjarrtë’ shqiptaro-sovjetike, ose më saktë Hoxha-Stalin. Plot 30 vite pas prishjes së Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik dhe po aq pas rënies së komunizmit, regjimi pagëzoi një qytet të Shqipërisë dhe e mbajti të “gjallë” emrin e Stalinit. Ndërsa çuditërisht pas rënies së komunizmit Kryqëzimi i njohur i kryeqytetit shqiptar e mbajti emrin e datës 21 dhjetor, për nder të ditëlindjes së Stalinit. Po aq ironik është fakti se për ndërtimin e lagjes ku ndodhet sot “21 Dhjetori” u detyruan të punonin disa nga ish-të dënuarit e regjimit.
“Dijetarë”, “historianë”, “patriotë” dhe “intelektualë” shqiptarë, nga ana tjetër, kanë ndezur debate pa fund gjatë këtyre 30 viteve, por pak ose askush nuk është parë i shqetësuar që të diskutojë dhe të debatojë po aq ashpër për emrin e sheshit të pagëzuar me ditëlindjen e Stalinit. Meritonte të ishte ndezur të paktën një debat “i ndezur” siç ka ndodhur me debatet e fundit për emërtimet e “Avni Rustemit”, “Qemal Stafës”, “Vojo Kushit” etj.
Sot pak nga banorë të zonës së njohur si “21 Dhjetori” në Tiranë e dinë pse e mori këtë emër dhe ca më pak akoma nuk e dinë që sheshi prej janarit 2011 mori emrin “Qemal Ataturk”. Por thuajse askush nuk thotë sot, se ndodhem te “Ataturku”, ose po pi kafe të “Ataturku”, apo se punoj, po kaloj, e kam shtëpinë te “Ataturku”, siç vazhdojnë thuajse të gjithë t’i qëndrojnë ‘besnikë’ ditëlindjes së Stalinit për “21 Dhjetorin”.
Mediat nga ana tjetër, kombëtare, lokale, periferike, mbarëkombëtare, publike ose private, i referohen gjerësisht çdo ngjarjeje që ndodh në atë zonë, çdo manifestimi politik, kulturor apo sportiv, si një ngjarje që nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër veçse te “21 Dhjetori”.
Ataturku shërbeu si president i Turqisë për 15 vjet dhe ishte ai që themeloi Turqinë e sotme moderne, megjithëse nuk dihet se çfarë kontributi ka dhënë për Shqipërinë, më tepër, nëse marrim një shembull dhe e krahasojmë me Gjorg Golemin. Po ashtu është e lehtë të konstatosh sesi politikanë, historianë, akademikë, të majtë e të djathtë, në diskutimet e tyre publike i referohen ende sot zonës në fjalë si “21-Dhjetori”.
Dhe si konkluzion, për t’u ndarë nga e kaluara komuniste duhet që më parë të ndahemi një herë e mirë edhe me farsitetin e trashëgimisë së saj... sikurse e tregon “dashuria” sot qoftë e pakuptimtë dhe e tejzgjatur, qoftë e djallëzuar, ashtu, edhe e pamenduar për Stalinin duke përjetësuar një shesh të kryeqytetit me ditëlindjen e tij, në zemër të Tiranës.
/Liberale.al/