Krye

“Zëra nga errësira”/ Nevila Nika: Një tablo e historisë sonë

               Publikuar në : 10:03 - 06/05/20 liberale

Nga Prof. Dr. Nevila Nika

Gjithmonë kam pyetur veten, vallë a kanë të drejtë njerëzit kur rëndom mendojmë se gjithçka ndodh përtej ekranit të vogël është e parapërgatitur? Që do të thotë se sipas një skenari të caktuar realizohen të gjitha programet televizive. Natyrisht që ka të vërtetë në këtë mes, por duhet të pranojmë se ka edhe programe të cilat janë në transmetim të drejtpërdrejtë. E pikërisht këto të fundit janë domeni i pakontestueshëm i Eni Vasilit.

Përgatitja për të realizuar një intervistë me personazhe nga më të ndryshmit kërkon jo vetëm kohë, por mbi të gjitha përgatitje të gjithanshme. Zgjedhja e personazhit, gërmimi në historinë e tij e të familjes, gjetja e materialeve ilustruese dhe ndërtimi i listës së pyetjeve që mendon se duhet t’i bëhen të ftuarit në studio, janë të rëndësishme, por jo gjithçka.

Pa dyshim ajo që e dallon një gazetar nga një tjetër është aftësia për të lëvizur nga ajo çfarë ka shkruar më parë në letër dhe në varësi të rrjedhës së bisedës të improvizojë, ndryshe bashkëbisedimit do t’i mungonte natyrshmëria e do të ishte thjesht diçka monotone, ose gati-gati një recitim.

Thuhet se “pyetja nxjerr pyetjen”, e kështu intervista ia del të shndërrohet në një bisedë normale si ndodh zakonisht midis dy të njohurish apo miqsh të vjetër. Mjeshtëria për të vjelë sa më shumë informacion nga personazhi që ke përballë meriton vlerësim maksimal, pasi ky është edhe qëllimi përfundimtar i një interviste. Secili prej nesh ruan kujtimet e veta me shumë fanatizëm brenda një “kasaforte”, çelësin e së cilës e mbajmë po me aq fanatizëm. Këtë vështirësi të gjetjes së këtij çelësi magjik do të thosha gazetarja, gruaja, qytetarja e intelektualja Eni, ia ka dalë mrekullisht me sukses.
Intervistat e realizuara prej saj janë copëza historie të individëve, por mund t’i konsiderojmë fare bukur si pjesëza të një tabloje të madhe pazëlli (puzzle) të historisë sonë kombëtare.

Përzgjedhja e personazheve të intervistuar që Eni i ka bërë pjesë të këtij botimi mendoj se nuk ka qenë e rastësishme. Janë shtatë intervista, një zonjë e gjashtë zotërinj të vërtetë, thënë ndryshe me Z të madhe.

Shtatë persona të ndryshëm si prejardhje familjare, krahine e përkatësie fetare: moshe, formimi e bindjesh.

Shtatë jetë të rrëfyera para gazetares Vasili, falë pyetjeve të saj të parapërgatitura, por në shumicë të dala gjatë bashkëbisedimit me ta.

Shtatë jetë të mbushura me vuajtje, mundime e persekutime të papërfytyrueshme.

Shtatë jetë dëshmitare të një kohe të errët e mizore për të gjithë ne e veçanërisht për ta e të afërmit e tyre.

Shtatë jetë pjesë e faqeve më të zymta të historisë sonë të gjysmës së dytë të shekullit të 20.

Të shtatë personazhet kanë provuar ferrin e kampeve të internimit dhe burgjeve të regjimit komunist. Kanë kaluar nëpër zyrat famëkeqe të Sigurimit të Shtetit e ato të hetuesive, ku edhe janë marrë në pyetje për “krimet që kishin kryer ndaj pushtetit popullor”, por tashmë përballë gazetares ndiejnë përgjegjësinë e rëndësisë për të dëshmuar të vërtetën e asaj çfarë ka ndodhur vite më pare, me ta e bashkëvuajtësit e tyre.

Thjeshtësia e vërtetësia e rrëfimeve që Eni ka mundur të marrë prej të intervistuarve është vërtetë mbresëlënëse, e kjo mendoj se është arritur falë mënyrës së formulimit jo vetëm të pyetjeve, por edhe komunikimit të saj me ta. Personalisht kam pasur rastin të njoh disa prej këtyre personazheve dhe e kuptoj fare mirë se sa me vështirësi flasin për vuajtjet e poshtërimet me të cilat janë përballuar pa asnjë shkak a motiv bindës në të kaluarën, por përballë gazetares Vasili ata nuk kanë ngurruar të tregojnë e të dëshmojnë me shumë fisnikëri e qytetari historitë e tyre personale. Gjuha e urrejtjes nuk ekziston në bisedën që ata zhvillojnë para kamerave e mikrofonave, edhe pse historitë e tyre janë tronditëse. Kanë kaluar dekada në burgje e internime që në moshë të njomë.

Emocionet e forta, që secili prej nesh ka ndier kur ka ndjekur nga ekrani i vogël këto biseda, janë tejet të vështira të përcillen nëpërmjet fjalëve. Mendoj se do të jenë përsëri të tilla edhe kur të kemi në dorë këtë përmbledhje të tyre, falë punës këmbëngulëse e plot përkushtim që ka bërë autorja.
Çdo popull ka nevojë të dijë të kaluarën e tij, por në rastin e shqiptarëve kjo është një domosdoshmëri, për shkak se vitet e diktaturës komuniste kanë dëmtuar rëndë Kujtesën tonë historike duke e shtrembëruar atë për shkaqe ideologjike.

Mungesa e theksuar e dokumenteve arkivore që dëshmojnë për këtë të kaluar bën që dëshmitë gojore, si në rastin e intervistave apo edhe dokumentarëve të personave të ndryshëm, të shndërrohen në burime jashtëzakonisht të vyera për historianët, sociologët, antropologët, psikologët, politikanët, shkurt për secilin prej nesh.

Ky libër, edhe pse në dukje i thjeshtë, është një kontribut i vyer në rindërtimin e kësaj Kujtese, që po rrezikohet nga dita në ditë prej një erozioni të frikshëm. /Gazeta Liberale

Tags: ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back