Presidenti amerikan i dha mbështetjen e duhur Ukrainës, pak ditë përpara përvjetorit të parë të pushtimit të plotë të saj nga Rusia. Joe Biden ka bërë një vizitë të papritur në Kiev përpara udhëtimit të tij të planifikuar në Poloni.
Kishte zëra që qarkullonin përpara udhëtimit të presidentit amerikan në Evropë se ai mund të takohej me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, qoftë në Varshavë ose në kufirin e Polonisë me Ukrainën.
Vizita e tij në kryeqytetin e Ukrainës, pothuajse një vit që kur u rrethua nga trupat ruse në ditët e para të luftës, dërgon një sinjal të fortë Moskës, rreth mbështetjes së SHBA për Ukrainën.
Luftimet vazhdojnë në lindje të Ukrainës, teksa Rusia kryen rregullisht sulme me raketa përtej vijës së frontit. Në natën e Vitit të Ri disa raketa goditën ndërtesat dhe shtëpitë e civilëve në Kiev, duke vrarë të paktën pesë persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë. Sirenat e sulmit ajror ranë sërish në qytet mëngjesin e së hënës.
Disa rrugë kryesore në qendër të Kievit u bllokuan dhe një autokolonë e gjatë me minibusë dhe automjete të blinduara u filmua duke shkuar drejt qendrës së qytetit.
Udhëtimi i Biden vjen në një kohë kur ministrat e jashtëm të BE-së u takuan në Bruksel për të diskutuar prokurimin e përbashkët të municioneve që do t'i ofrohen Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë. “Është çështja më urgjente. Nëse dështojmë në këtë, rezultati i luftës është në rrezik”, tha para takimit kryediplomati i BE-së, Josep Borrell.
Politico raportoi të dielën se administrata Biden po i bënte presion Ukrainës që të “konsolidojë arritjet e saj dhe ndoshta të nisë kundërsulmin e saj” pasi analistët dhe zyrtarët perëndimorë thonë se Rusia aktualisht nuk është në gjendje të nisë një kundërofensivë të saj në shkallë të gjerë ose të befasishme.
Zyrtarët amerikanë gjithashtu kanë paralajmëruar Zelenskiy se nivelet aktuale të ndihmës materiale perëndimore nuk mund të garantohen, sipas Washington Post. Zelenskiy kërkoi më shumë ndihma perëndimore, për të përshpejtuar luftën, në konferencën e sigurisë në Mynih gjatë fundjavës, ku politikanët perëndimorë shprehën mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Ukrainën, por nuk ishin të gjithë në një mendim. Ndërkohë, SHBA paralajmëroi se Kina mund të jetë në prag të furnizimit të Rusisë me ndihmë ushtarake. Kina thuhet se është i vetmi aktor i jashtëm që mund të ndikojë në Rusi dhe mbështetja ushtarake kineze do t'i jepte Rusisë një avantazh të rëndësishëm.
Duke folur për podcastin e “War on the Rocks” të shtunën, analisti ushtarak Michael Kofman tha se ofensiva e re e Rusisë filloi tre javë më parë me një sulm të dështuar në Vuhledar.
Inteligjenca ushtarake e Ukrainës tha në janar se priste që Rusia të shpallte një valë të dytë mobilizimi pas festimeve të Vitit të Ri Ortodoks, por kjo valë nuk u realizua. Vala e parë e mobilizimit të Rusisë, e cila e rriti numrin e saj me 300,000 vetë duket se nuk u prit mirë publiku vendas. Qindra mijëra rusë më pas u larguan nga vendi i tyre, në Azinë qendrore fqinje dhe Kaukaz.
Biden është presidenti i parë i SHBA që viziton Ukrainën që nga George W Bush në prill 2008. Si zëvendëspresident nën lidershipin e Barak Obamës, Biden do të vizitonte rregullisht Ukrainën, duke krijuar një marrëdhënie të ngushtë me ish-presidentin ukrainas Petro Poroshenko.
“Unë nuk mendoj se rusët do të habiteshin,” tha Tatiana Stanovaya, themeluesja e R. Politik, një kompani e analizave politike. “Do të jetë për ta një tjetër provë se Uashingtoni ka zgjedhur pa mëdyshje kampin e tij… Është një dëshmi e përçarjes totale me Rusinë, konfirmim se tani perëndimi ka vënë bast për humbjen strategjike të Putinit.”
Vizita e Biden vjen një ditë përpara se Vladimir Putin të mbajë një fjalim për gjendjen e kombit të tij, që mund të sjellë një përshkallëzim të mëtejshëm rus në luftë. “Unë pres që nesër Putini mund të jetë jashtëzakonisht i ashpër me perëndimin në fjalimin e tij vjetor”, tha Stanovaya.
/Liberale.al/