Globi

Vala e dytë e COVID-19? Ja çfarë thotë mjeku në New York

Shkruar nga Liberale
Vala e dytë e COVID-19? Ja çfarë thotë mjeku në New

Nga: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik-New York*

Rritja aktuale e rasteve me coronavirus në Shtetet e Bashkuara (SH.B.A.) dhe në shumë vende të botës, na kujton ngritjen e shifrave gjatë muajve te verës. Shifrat në rritje flasin për një kthim prapa, dhe na kujtojnë shfaqjen e krizës globale në pranverë, gjë që shkakton pyetjen se a mos është fjala për “valën e dytë“ të COVID-19? Por, derisa, shumica e kontinentit Evropian është mes rritjeve të konsiderueshme të infeksioneve dhe valës së tyre të dytë, në SH.B.A., jemi akoma në valën e parë.

Në një farë mënyre, përhapja e corona-virusit te ne, deri më tani ka qenë më shumë si një seri shpërthimesh sesa një valë.

Pandemia COVID-19 në SHBA po prek zona të ndryshme në të gjithë vendin në mënyra të ndryshme në kohë të ndryshme. Nga fillimi, pjesë të vendit që përjetuan shpërthime të rënda gjatë pranverës, përjetuan një rimëkëmbje. Vende të tjera nuk kanë pasur shumë raste, dhe disa shtete vetëm tani po përjetojnë një rritje të COVID-19. Edhe në zonat që kanë raportuar rënie të numrit të infeksioneve dhe vdekjeve, shpërthime të lokalizuara dhe ngjarje “super përhapëse” – në të cilat një person i infektuar transmeton virusin te shumë të tjerë, në një tubim – vazhdojnë të ndodhin. Është gjithashtu e qartë se vendet ku njerëzit jetojnë ose punojnë së bashku, apo në afërsi të njëri tjetrit, kanë pas më shumë përhapje të korona-virusit.

Rritja e numrit të të infektuarve me COVID-19:

Transmetimi themelor i virusit nuk ka ndryshuar. Mbetet lehtësisht i transmetueshëm dhe virusi do të depërtojë kudo që i jepet hapësirë, për t’u zgjeruar, dhe do të gjejë njerëz që janë të ndjeshëm. Hulumtimet kanë treguar se njerëzit që janë të infektuar me COVID-19, janë më ngjitës 2-4 ditë para se të shfaqin simptoma, të cilat zakonisht fillojnë 4-5 pesë ditë pas ekspozimit. Me fjalë të tjera, është e sigurt të thuhet se do të ishte jashtëzakonisht e rrallë që dikush të transmetojë virusin më herët se dy ditë pas ekspozimit; megjithatë, në një moment pas kësaj, rreziku do të fillojë të rritet ndjeshëm.

Përkundër 9 milionë rasteve të konfirmuara në Sh.B.A, shumica e amerikanëve – deri në 90%, mbeten të prekshëm nga ky infeksion. Ne ende nuk e dimë nëse, dhe për sa kohë, njerëzit e infektuar dhe të rikuperuar nga COVID-19 do të jenë imunë ndaj një infeksioni tjetër.

Tetë muaj pas pandemisë, njerëzit mund të jenë lodhur nga masat paraprake për të ngadalësuar përhapjen e virusit. Duket se qëndrimet e relaksuara në lidhje me rreziqet me të cilat ende përballemi po shkaktojnë sëmurje të reja.

Takimet shoqërore dhe familjare, ku njerëzit priren të harrojnë rrezikun nga kjo pandemi, kanë qenë nxitësi kryesor i rritjes aktuale të numrave. Ndërsa vazhdohet me rihapjen, njerëzit janë të etur të dalin dhe të rinisin aktivitetet e tyre, të rregullta e rutinë, që i bënin para COVID19. Duket se ka një vonesë midis ndryshimit të infektivitetit dhe shfaqjes së të dhënave mbi COVID-19 në një vend.

Ne mund të mos shohin ndonjë efekt të tillë, si një rritje në numrin e rasteve COVID-19, ose hospitalizimeve, një javë apo edhe dy javë më vonë. Duket se do të duhet më shumë kohë, ndoshta disa javë, që efektet reale të shfaqen në të dhënat e nivelit të popullsisë. Kur një person është i ekspozuar ndaj coronavirusit, mund të duhen deri në dy javë para se të sëmuret dhe të kërkojë ndihmë nga mjeku, ku do të testohet dhe pastaj të numërohet në të dhënat aktuale. Duhet edhe më shumë kohë që njerëzit shtesë të sëmuren pasi të jenë ekspozuar ndaj atij personi, etj. Ka të ngjarë se disa cikle infeksioni mund të ndodhin para se të tregohet rritje e dukshme në të dhënat, të cila zyrtarët e shëndetit publik i përdorin për të ndjekur pandeminë.

Jemi të pozicionuar më mirë për të trajtuar valën e dytë:

Ndërsa parashikojmë vjeshtën dhe dimrin e stuhisë COVID-19, në shumë mënyra, ne jemi në një pozitë shumë më të mirë sesa ishim në shkurt dhe mars, kur u identifikuan rastet e para. Që nga ajo kohë, ne kemi mësuar shumë për coronavirusin.

Ne e dimë se si përhapet virusi dhe dimë si të mbrohemi më mirë. Ne e dimë që mbajtja e maskave, praktika e mbajtjes së distancës shoqërore, dhe larja e duhur e duarve, mund të ndihmojnë në mënyrë të konsiderueshme në parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Ne, gjithashtu e dimë që mbrojtja e më të rrezikuarve midis nesh, të moshuarve dhe njerëzve me shëndet të komprometuar, është thelbësore për të mbajtur infeksionet nën kontroll. Për më tepër, ne kemi bërë përparime të mëdha në ngritjen e qendrave të testimit dhe krijimin e proceseve të gjurmimit të infektuarve, për të parandaluar shpërthime të reja. Përmirësimet dhe risitë në barnat terapeutike dhe ndërhyrjet mjekësore kanë ulur ndjeshëm ashpërsinë e sëmundjes dhe shkallën e vdekshmërisë.

Me përmirësime të vazhdueshme në ilaçet për të luftuar infeksionet, ne do të vazhdojmë me përmirësime të dukshme. Ndërsa vazhdojmë kërkimin tonë për një terapi më efektive dhe një vaksinë, ne mund të vazhdojmë të rihapim dhe të qëndrojmë të hapur në mënyrë të sigurt duke përdorur metodat e provuara që ndihmuan në ‘rrafshimin e kurbës’ në rajonet e goditura më herët gjatë vitit.

Distanca social, shmangia e turmave, veçanërisht në ambiente të mbyllura, vazhdimi i përdorimit të maskave dhe mbulesave të fytyrës dhe larja e duarve, siç kemi bërë gjatë muajve të fundit, do të vazhdojnë të jenë siguria më e mirë për të na mbajtur të shëndetshëm-të japim kohe shkencës ne zbulimin e vaksinës, cila do të jetë fillimi i fundit për këtë pandemi-dhe kthim në normalitet për mbarë botën.

*Autori është edhe nënkryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës -VATRA

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH