Letërsi

Tryeza e QKLL: Verli, duhet të përkthejmë historinë, të huajt mite...

Shkruar nga Liberale

“Ndryshe nga vendet fqinje si Serbia apo Greqia të cilët investojnë në përkthimin e autorëve të tyre, zëri i autorëve shqiptarë mungon në sytë e botës. Kjo ka krijuar edhe mite të rreme rreth nesh”, thekson historiani Mariglen Verli. Në një takim - dialog organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit mbi librin albanologjik, Verli shpalosi idenë se:

“Autorët nga bota, përfshirë edhe politikëbërësit, do të kishin edhe mendimin tonë. Pikërisht sepse këtë ne nuk e kemi bërë si duhet, tezat e fqinjëve tanë janë ato që orientojnë influencën tek politikëbërësit evropianë. Edhe sot e kësaj dite mund të ketë njerëz në botë që shprehen se Kosova është qendra e Serbisë. Në fakt, me argumente, me botimet e dokumenteve të mirëfillta në shekuj, nëse do t’i kemi, kryesisht në anglisht, do t’i japim botës studimet tona që janë shumë reale dhe shumë cilësore”, thotë ai.

Studiuesi jep shembullin e veprave të domosdoshme për t’u përkthyer, madje edhe vlerën monetare që do të kishte kjo.

“Vëllimet e Historisë së Popullit Shqiptar, Fjalori i Enciklopedisë, përkthimi dhe pagesa të tjera që lidhen me të deri në finalizim, nëse është fjala për 7 vëllime, mund të shkonin deri në 15 milion të reja”, tregon ai.

“Duke e parë librin shqip si një të tërë, ne po përpiqemi t’i japim zë dhe fushave të cilat kanë qenë shumë pak në fokusin jo vetëm të institucioneve shtëtërore, por dhe të kritikës e botuesve, siç janë botimet historike.

Në biseda të ndryshme që kam pasur me profesorë, studiues, gjithnjë ka dalë në pah domosdoshmëria e rritjes së ndjeshmërisë ndaj kësaj kategorie botimesh. Duhet të mbështesim autorët, shkruesit e historisë të ndikojmë në promovimin e tyre, pasi dhe promovimi është një hallkë tjetër që mungon.

Mendoj se është shumë e rëndësishme të rrisim kulturën e leximit në përhapjen e vlerave identitare që mbartin botimet historike, sidomos tek brezi i ri.”, përmbyll historiani Maringlen Verli.

QKLL do të krijojë një fond të posaçëm mbështetjeje për Albanologjinë, por dhe do t’i japim më shumë hapësirë përmes koperimeve ndërkombëtare,në mënyrë që libri historik e albanologjik shqiptar të jetë pjesë e panaireve apo aktiviteteve ndërkombëtare të Librit, ku merr pjesë Ministria e Kulturës.

Bashkë me ju, mendoj se është e rëndësishme nisja e bashkëpunimit për hartimin e një Strategjie Kombëtare në fushën e identitetit dhe historisë”, tha Alda Bardhyli, drejtuese e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

***

Në këtë frymë, pak ditë më parë Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Ambasadën Franceze në Tiranë organizuan ekspozitën “Në Lindje, lufta pa fund 1918-1923“, si edhe promovimin e librit “Shqipëria në reportazhet e Robert Vaucher”, një përmbledhje nga Dr. Dorian Koçi, botim i shtëpisë botuese “Papirus”, me financimin e Ministrisë Franceze të Europës dhe të Punëve të Jashtme dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Në kontekstin e rindërtimit të Evropës Lindore dhe të Lindjes së Afërt, duke u interesuar për historinë e një hapësire gjeografike pak të njohur në Francë, ekspozita “Në Lindje, lufta pa fund 1918-1923”, përshkruan zëvendësimin e vështirë, gjatë kësaj periudhe, të perandorive të vjetra nga shtetet e reja kombe, shoqëruar me ndryshime të rëndësishme kufijsh, sidomos nëpërmjet konfilkteve të ndryshme, revolucioneve dhe kundër-revolucioneve.

Ambasadorja e Francës në Shqipëri në referencën e saj përgëzoi për këtë botim libri që “është vërtet i rëndësishëm, duke pasur parasysh epokën në të cilën televizioni nuk ekzistonte, ndaj këto fakte të dokumentuara historike nga Robert Vaucher, marrin një rëndësi të veçantë”.

Libri “Shqipëria në reportazhet e gazetarit Robert Vaucher” hap gjerësisht rrugën për një histori sociale të ballafaqimit të kulturave dhe mentaliteteve shtetformuese gjatë Luftës së Parë Botërore në Shqipëri. Veçanërisht brezi i ri ka nevojë për një histori të tillë larg përshkrimit epik e heroik por edhe të fateve njerëzore, të pasigurive për të zgjedhur rrugën më të mirë kur Fuqitë e Mëdha grinden njëlloj si në Olimpin e lashtë.

***

Me një vëmendje të veçantë ndaj librave historikë dhe atyre të kujtesës, së fundmi shtëpia botuese UETPress, ka botuar romanin “Për në Shqipëri Karl, - Një udhëtim ndryshe në vitin 1914”, pjesë e Kolanës “Scripta Manent”, sjellë në shqip nga studiuesi Armand Plaka.

Si ndodhi që një princ gjerman, nga Rini, të vinte e të ulej në fronin mbretëror të Shqipërisë, siç na dëshmon viti 1914? Kjo ishte pyetja që ngjizi  idenë e autorit gjerman Peter Marxheimer  për të shkruar këtë libër. Letërsi dhe histori, bashkë. Kemi të bëjmë me dy udhëtime, atij të gazetarit Karl Richter, një figurë fiktive letrare dhe të Princ Vidit, figurë historike. Gjatë aventurës së tij shqiptare Richter takon edhe baroneshën pasionante, Ameli fon Godin, britaniken kurajoze, Miss Durham, sikurse dhe baronin turbullues Nopça, të tre njohës shumë të mirë të rrethanave politike në vendin e vogël buzë Adriatikut. Për ta bërë edhe më interesant misionin e tij, ai kryen edhe një intervistë me Kajzerin Gjerman, Vilhelm II në ishullin e Korfuzit ku na zbulohet me këtë rast edhe qëndrimi gjerman për “çështjen shqiptare”. Aventura personale e Karlit përzihet me atë politike të Princ Vidit si Mbret i Shqipërisë. Nuk mungojnë aty as takimet dhe rrëfimet e personazheve të rëndësishëm shqiptarë të kohës si Ekrem Bej Vlora, e Dervish Hima. Tradhtia, intrigat e diplomatëve të kohës si dhe mbërritja papritur e oshëtimave të Luftës së Parë Botërore, i ofruan këtij eksperimenti një fund më të butë. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH