Aktualitet

Tri gra "në ring" për Gjykatën Kushtetuese!

Shkruar nga Liberale

Tri gra garojnë sot për kryetarin e ri të Gjykatës Kushtetuese. Bëhet fjalë për Fiona Papajorgji, Marjana Semini dhe Holta Zaçaj, të cilat kanë shprehur kandidaturën e tyre për këtë pozicion.

Njëra prej tyre do të zëvendësojë Vitore Tushën, e cila e mbajti detyrën e kryetarit për gati pesë vite. Tusha rezultoi e vetmja anëtare nga trupa e vjetër që kaloi filtrin e vettingut të gjyqtarëve.

Fiona Papajorgji

Pas betimit para presidentit të Republikës, Ilir Meta, ajo u bë më 14 nëntor të vitit 2019 anëtarja e katërt e Gjykatës Kushtetuese.

44-vjeçarja nga Vlora është diplomuar në vitin 2000 në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Barit në Itali, ndërsa në vitin 2012 ka marrë gradën shkencore “Doktore e Shkencave Juridike” po në të njëjtin universitet.

Në vitet 2000-2008, Papajorgji ka ushtruar profesionin e asistent avokatit dhe me pas të avokatit pranë firmave ligjore në Bari. Gjatë periudhës 2009-2011 ka punuar si juriste pranë Drejtorisë së Kërkimeve, Studimeve dhe Botimeve në Gjykatën Kushtetuese.

Në vitet 2011-2019 ka ushtruar detyrën e këshilltares ligjore në Gjykatën Kushtetuese. Prej vitit 2007 e në vazhdim ushtron mësimdhënien si lektore e së Drejtës Publike në disa universitete, ndërsa në vitin 2019 është angazhuar nga Shkolla e Magjistraturës si pedagoge në dispozicion për vitin e parë të Programit të Formimit Fillestar.

Marjana Semini

Në mbyllje të votimit, që zhvilloi Kuvendi i Shqipërisë në seancën e fundit për vitin 2022, Semini u emërua anëtarja më e re e Gjykatës Kushtetuese.

Ajo mori 58 vota nga 80 deputetë, që morën pjesë në votim. Për mëse 22 vjet ka qenë drejtuese dhe pedagoge në Shkollën e Magjistraturës, pedagoge në Universitetin e Tiranës dhe në Shkollën Kombëtare të Avokatisë.

Autore e një serie botimesh profesionale e akademike, ajo është po ashtu eksperte në një mori projektesh të institucioneve shqiptare dhe ndërkombëtare mbi të drejtat njerëzore, civile dhe të pronësisë intelektuale, avokatisë, noterisë, të drejtës tregtare.

Holta Zacaj

Gjykata e Lartë vendosi të emërojë si anëtaren e re të Gjykatës Kushtetuese kandidaten Holta Zaçaj, e renditur e para në listën e KED-së.

Në jetëshkrimin e avokates Holta Zaçaj të publikuar në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë, sqarohet se ajo është “avokate e specializuar në të drejtën familjare, mbrojtjen e fëmijëve dhe transaksioneve me pasuri të patundshme”.

Po ashtu theksohet se, është anëtare e Komitetit për Shërbimet e Mbrojtësit Publik-Divizioni për fëmijët dhe familjen në shtetin e Massachusetss në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Liberale.al

 

Liberale Newsroom

A ishin zgjedhjet e 11 majit 2025 një farsë elektorale, siç pretendon opozita?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH