Në vendin tonë janë të punësuar 95 mijë persona dhe kultivohen ose mblidhen mbi 330 lloje bimësh medicinale dhe aromatike.
Një publikim i dedikuar i Agjencisë Shqiptare të Investimeve të Huaja i cili përmbledh ecurinë e sektorit në tërësi nënvizon se vendi ynë është ndër 25 eksportuesit kryesorë të bimëve medicinale dhe aromatike në botë.
Të paktën 95 për qind e gjithë prodhimit orientohet drejt eksportit.
Sipas AIDA-s rritja e eksporteve të këtij grupi ka qenë e vazhdueshme edhe pse në total të ardhurat e gjeneruara mbeten modeste.
Në vitin 2020 këto eksporte llogariteshin 44 milionë euro.
Rreth 32 për qind e eksporteve të këtij grupi orientohen drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një shifër e njëjtë drejt Gjermanisë. Në Turqi rreth 10 për qind dhe po kaq edhe në Francë. Kjo për faktin se vendet e mëdha e të zhvilluara kanë fabrika dhe teknologji ndaj edhe i grumbullojnë dhe i përdorin ato për prodhimin e barnave.
Shumica e prodhimit bëhet nga mbledhja e gjerë nga individë të pavarur çka përbën 80 për qind, kurse pjesa tjetër është e kultivuar.
Por cilat janë në fakt bimët mediciale dhe aromatike më të eksportuara?
Në vend të parë sipas përmbledhjes së AIDA është sherebela dhe pas saj vjen livanda (levander), rigoni, më pas trumza, mollët e egra etj.
Shqipëria është furnizues kyç i tregut të SHBA me sherebelë dhe tregut gjerman me trumzë.
“Fermerët në Shqipëri aktualisht kultivojnë, grumbullojnë dhe eksportojnë 186 lloje bimësh mjekësore dhe aromatike nga 330 lloje të bimëve mjekësore dhe aromatike që rriten në total në Shqipëri. Sektori punëson mbi 90,000 punonjës, 10% e të cilëve janë gjithashtu të angazhuar në kultivimin e bimëve në një sipërfaqe prej mbi 6000 Ha”.
Sipas AIDA, bimët mjekësore dhe aromatike në Shqipëri rriten kryesisht në Shkodër, Malësi e Madhe, Korçë, Elbasan, Berat, Gjirokastër dhe Kukës.
Aktualisht operojnë 40-50 kompani eksportuese MAP Shqipëria, pjesa më e madhe e tyre i përpunon më tej bimët për prodhimin e produkteve të tilla si vajrat esenciale.
Kompanitë shpesh i blejnë nga dora e parë me një çmim qesharak, sidomos bimët mjekësore që rriten në natyrë, duke llogaritur fitim në terma afatshkurtër, çka bën që të mos nxitet prodhimi apo grumbullimi i tyre si dhe të ketë interesin e duhur që kjo industri të zhvillohet.