Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, anëtar i komisionit pranë Partisë Demokratike për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë, thotë se e ka pritur me keqardhje vendimin e ish-kryeparlamentares dhe ish-nënkryetares së PD-së, Jozefina Topalli për të krijuar parti të re.
Mustafaj thotë se në 30 vite shumë nga ata që janë larguar nga PD-ja dhe kanë krijuar parti të tilla kanë dështuar dhe minimalisht sipas tij, duhej të bënte një analizë.
"E prita me çudi dhe keqardhje. Partia Demokratike është koalicioni opozitar. Unë parashikoja që krijimi i kësaj analize të shoqërohej me një analizë pse ka dështuar Gramoz Pashko, Dashamir Shehu, Genc Pollo.
Nëse zonja Topalli do të mund të mbledhë të gjithë të pakënaqurit nga Rama dhe Basha, mendoj se do të jetë një punë e dobishme. Nëse nuk i mbledh, atëherë kjo është aventurë që tregon mendjelehtësi.
Jozefina nuk i shmanget dot sintagmës që është një hakmarrje. Ishte propozuar nga demokratët e Shkodrës për të qenë në listën e deputetëve. Në seleksionimin e parë, ne e përzgjodhëm. I shkoi formulari si të gjithë të tjerët. Në stad ishte e barabartë me të tjerët. Jozefina refuzoi t’i nënshtrohet duke e konsideruar komisionin farsë", tha Mustafaj në News 24.