
Kreu i Komitetit të Rindërtimit, Arben Ahmetaj është shprehur se kostoja e dëmëve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit kap shifrën e 600-700 milionë euro. Siç duket, pas varrosjes së viktimave të tërmetit, sfida po bëhet serioze sa i përket ndihmës së menjëhershme për familjet e dëmtuara si dhe për financimin e rindërtimit të banesave të humbura. Ahmetaj tha se është një traumë shumë e rëndë shoqërore dhe është e rëndësishme kontributi i të gjithë aktorëve.
“Janë elementë që kanë të bëjnë me emergjencën dhe post emergjencën për të shkuar pastaj tek rindërtimi. Ajo që dua të theksoj është përgjigjja e gjithë aktorëve të shoqërisë. E para është qeveria me një grup 24 orë i drejtuar nga ministri Çuçi. Ne fondet do t’i vendosim për rindërtimin. Ajo që bën kryeministri apo që tentojmë të bëjmë të gjithë ne, në korsitë e tyre, jo vetëm qeveria, parlamenti, aktorë të shoqërisë civile, këtu bëhet fjalë për ringritje. Emergjencë, ringritje, rindërtim. Ringritja është edhe ringritje për shoqërinë sepse kanë humbur jetë njerëzish, janë lënduar qytetarë, janë dëmtuar banesa. Është një traumë shumë e rëndë shoqërore. Tek ringritja nuk është vetëm një njeri, një entitet. Patjetër që qeveria ka detyrën por ka nevojë edhe për kontribut nga të gjithë aktorët për ta ringritur shoqërinë”, deklaroi Ahmetaj.