Aktualitet

Tensionet në veri të Kosovës, Kurti iu përgjigjet ndërkombëtarëve: Çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve

Shkruar nga Liberale
Tensionet në veri të Kosovës, Kurti iu përgjigjet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas situatës së tensionuar në veri të vendit. Ai ka thënë se i kupton shqetësimet e ndërkombëtarëve, por se çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë ndaj kryetarëve të rinj të komunave veriore.

Kurti ka shtuar se shkuarja e kryetarit të komunës në vendin e tij të punës “do duhej të ishte gjëja më normale e mundshme”.

“Objekti i ndërtesës së komunës është vendi ku u shërbehet qytetarëve mbi bazën e ligjit e kushtetutës. Ai i takon Republikës prandaj edhe nuk është marrë dje e nuk do të merret asnjë ditë tjetër. Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj; do të ishte mos përmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës; dhe, do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve, veçanërisht qytetarët serbë të Kosovës, që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre, “të cilat do të jenë multi-etnike, multi-kulturore, multi-gjuhësore dhe multi-partiake”.

“Ata janë të zgjedhur dhe nuk janë kundër askujt, por në shërbim të të gjithëve”.

Ndërkaq, ka falënderuar Policinë për veprimet e djeshme në mundësimin e hyrjes së kryetarëve nëpër komunat, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

“Ata, siç dëshmojnë çdo ditë, e dëshmuan edhe dje, që janë të gatshëm për t’i shërbyer rendit, ligjit e Republikës si profesionistë, të patrembur e dinjitozë, në afirmimin e një ambienti multi-etnik të sigurisë, pavarësisht kushteve të rënda që shkaktuan grupet e menaxhuara nga struktura parapolitike në atë pjesë të vendit”.

Në mes tensionesh, kryetarët e rinj të tri komunave në veri të Kosovës – Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok - kanë hyrë në objektet komunale të premten, një ditë pas betimit. Atyre u është dashur ndërhyrja e Policisë për t’i larguar protestuesit dhe barrikadat para objekteve komunale. Policia është përballur me shok-bomba e të shtëna armësh nga protestuesit. Në anën tjetër, Serbia ka ngritur në gatishmëri të lartë luftarake ushtrinë.

Pas ngjarjeve të premten, komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH