Aktualitet

Tabaku: Parlamenti shqiptar të lërë rezolutat dhe të jetë pranë Prishtinës kur duhet

Shkruar nga Liberale
Tabaku: Parlamenti shqiptar të lërë rezolutat dhe të

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar lidhur me situatën e tensionuar që u krijua mbrëmjen e djeshme në Veri të Kosovës.

Tabaku shkruan në rrjetet sociale se, ngjarja e djeshme në Kosovë tregoi edhe një herë qasjen problematike që ka Serbia ndaj Ballkanit Perëndimor.

“Prej vitit 2008 Kosova mbetet një realitet që nuk mund të ndryshohet ndaj çdo përpjekje që përpiqet të zhbëjë këtë realitet provokon vetëm trazira”, shkruan deputetja demokrate.

Ndërsa, sipas saj, vendimi i qeverisë së Kosovës për të shtyrë për 30 ditë reciprocitetin është një akt pozitiv.

“Veprimi i qeverisë së Kosovës për të shtyrë për 30 ditë reciprocitetin është një akt pozitiv jo vetëm se është i mbështetur nga aleatët tanë strategjikë si SHBA dhe BE por sepse është një veprim i mbështetur gjerësisht nga politika në Kosovë”, shkruan më tej Tabaku.

Ajo i kërkon paralamentit shqiptar dhe qeverisë që të jenë pranë qeverisë së Kosovës në çdo moment.

“Nga ana tjetër e gjej të domosdoshme të kërkoj vëmendjen e parlamentit shqiptar dhe mbi të gjitha qeverisë duke i kujtuar që nuk mund të mjaftohet vetëm me rezoluta por duhet të jetë aty pranë qeverisë së Kosovës në çdo moment. Në këto kohë të turbullta gjuha e urrejtjes dhe gjuha e papranueshme nuk mund t’i shërbejë qetësisë dhe bashkëjetesës në Ballkanin Perëndimor. Shqiptarët sot i kanë sytë dhe zemrat e tyre nga Kosova!”, përfundon Tabaku.

Kujtojmë se, teksa pritej që të futej në në fuqi reciprociteti, i cili lidhej mes një sërë marrëveshjesh të nënshkruar nga qeveria e Kosovës dhe ajo serbe, mbrëmjen e djeshme pati tensione në veri të Kosovës. /Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH