Një shifër e tillë në fakt është ose duhet të jetë e disponueshme edhe nga autoritetet shqiptare, por nuk është bërë asnjëherë publike. Ashtu siç dihet numri i popullatës shqiptare me të drejtë vote, mbi 18 vjeç, pavarësisht se ku jeton, e njëjta gjë duhet të bëhet edhe për moshat nën 18-vjeç, çka do të jepte një shifër më të saktë rreth popullsisë aktuale të Shqipërisë.
Popullata shqiptare jashtë vendit është rritur me ritme të shpejta në tre dekadat e fundit prej emigracionit të lartë. Një studim i Organizatës Ndërkombëtarë për Emigracionin, pjesë e Kombeve të Bashkuara raportoi se nga viti 2015 në vitin 2020 mbi 101 mijë fëmijë nga prindër shqiptare kishin lindur jashtë vendit.
Foshnjat e lindura jashtë ishin sa 36% e totalit të lindjeve. Nga 2015-2020 lindën gjithsesi 282,668 foshnja nga prindër shqiptarë nga të cilët mbi 180 mijë ishin brenda vendit dhe mbi 101 mijë jashtë vendit.
Numri i madhi foshnjave të lindura nga prindër shqiptarë ishte në vendet fqinje ku në fillim të viteve ‘90 emigruan masivisht shqiptarët, Itali dhe Greqi. Në vitet e para ishte Greqia, ndërsa Italia është vendi me numrin më të lartë të emigranteve shqiptarë me 478 mijë persona, sipas të dhënave të fundit të disponueshme për vitin 2020. Shumë nga shqiptarët që emigruan në Greqi pas krizës që përfshiu vendin fqinj në vitin 2008 u larguan dhe emigruan në vende të tjera të Bashkimit Europian, në SHBA, Kanada, Australi etj.
Në vitin 2020, sipas INSTAT-it afërsisht 1.68 milionë shqiptarë jetonin jashtë shtetit, 884.7 mijë burra dhe 799.1 mijë gra.