Bob Mackie, stilisti që skicoi fustanin e kristaltë të veshur dikur nga Marilyn Monroe, tha se, ishte një gabim i madh për Kim Kardashian që e veshi në Met Gala.
Mackie skicoi fustanin e ngushtë të veshur nga Monroe, kur ajo i këndoi "Happy Birthday, Mr. President" John F. Kennedy në vitin 1962.
“Mendoj se ishte një gabim i madh”, tha Mackie gjatë një interviste me Entertainment Weekly.
"Marilyn ishte një perëndeshë. Një perëndeshë e çmendur, por gjithsesi perëndeshë. Ajo ishte thjesht përrallore. Ai fustan ishte stiluar për të. Askush tjetër nuk duhet ta vishte atë.", u shpreh ai, sipas Entertainment Weekly.
Vendimi i Kardashian për të veshur fustanin ngjalli kritika nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (ICOM).
"Rrobat historike nuk duhet të vishen nga askush, figura publike apo private", tha ICOM.
Kujtojmë se Mackie u bë një stilist kostumesh i njohur ndërkombëtarisht, ai u nominua për tre çmime Oscar dhe fitoi nëntë çmime Emmy. /Liberale.al