Pas një periudhe të gjatë në rënie, duket se më në fund euro po fiton qëndrueshmëri kundrejt lekut.
Që prej disa ditësh një euro është pozicionuar në nivelin e 104.4 lekë. Kjo vjen pas ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë, e cila ka rritur nivelin e blerjes së monedhës europiane për efekt të rezervës.
Parashikohet që përgjatë vitit 2023 të blihen rreth 300 milionë euro, ndërsa më herët ishte planifikuar një fashë prej 160-220 milionë eurosh nga tregu i brendshëm me qëllim rritjen e rezervës. Stabilizimi i kursit sipas agjentëve të tregut nisi që pas deklaratës së guvernatorit se do të shtojnë blerjen e sasisë së eurove në treg.