Sociale

“Tre vite burg kush tradhton”, telenovelë apo mjegullnajë e radhës për të fshehur superskandale

Shkruar nga Laert MIRAKU

“Tre vite burg kush tradhton”, telenovelë apo mjegullnajë

“Populli do vetëm bukë dhe cirk që të mbahen nën sundim”, shprehja e trashëguar e Perandorisë Romake të cilën Komodo, i biri i Mark Aurelit e zbatoi me përpikëri pasi trashëgoi fronin pas vdekjes së të atit. Komodo falimentoi thesarin e perandorisë romake dhe u mundua ta rimbushte atë duke ekzekutuar qytetarë të pasur për tradhti në mënyrë që t’i konfiskonte pronën. Ajo që ka ndodhur rreth 2000 vite më parë zbatohet më përpikëri nga politikanët shqiptarë sa herë duan që të fshehin një super skandal.

E njëjta situatë ndodhi dhe këtë herë. Mediat afër qeverisë ditën e diel ( 4 shkurt) publikuan lajmin për projektligjin me ndryshimet në "Kodin e Familjes" për të dënuar më gjobe dhe deri 3 vite burg për partnerët që kryejnë tradhti bashkëshortore. Ata që publikuan dhe janë të interesuar që ky të jetë lajmi i javës në të gjitha mediat afër qeverisë duke u diskutuar në të gjitha emisionet që trajtojnë çështjet sociale. Ata që ideuan këtë ofensive “propagandtike mediatike” u kujdesën që të sqarojnë edhe arsyen se përse mediat duhet ta bënin çështje javore. Në media u tha se ligji erdhi si reagim i shtetit pas rastit më të fundit kur u mësua se mjeku Dervish Hasi, kishte 3 martesa dhe krijoi të katërtën me një të mitur 16 vjeç, marrëdhënie për të cilën përfundoi pas hekurave.

Kjo duhet sqaruar mirë. Së pari mjeku nuk kishte 3 apo 4 martesa. Ai kishte vetëm një martesë të ligjshme e cila njihet nga shteti dhe institucionet e besimit fetar të cilit ai deklaron se i përket. Bashkëjetesa me dy, tre apo më shumë gra të tjera përveç gruas së ligjshme emërtohet si poligami. Legjislacioni shqiptar nuk e lejon martesën me një partner të dytë pa bërë më parë divorcin me partnerin/en. Neni 9 i “Kodit të Familjes” i ndryshuar më datë 05.12.2015 përcakton qartë: ” Ndalimet për lidhjen e martesës “Nuk mund të lidhë martesë të re personi që është martuar, derisa martesa e mëparshme nuk është shpallur e pavlefshme ose nuk është zgjidhur.” Veprimi mjekut në këtë rast është i jashtëligjshëm. Raste të tilla ka pasur në Shqipëri pas vitit 1991 dhe asnjëherë nuk janë dënuar me burg. Ju kujtoi rastin e princit të Libofshës që jeton me dy gra. Me siguri nuk e keni harruar rastin e Iliazit në emisionin “Dua të të bëj të lumtur” ku deklaroi se bashkëjetonte brenda një shtëpie me dy gra dhe me secilën kishte nga tre fëmijë. Nga fëmijëria ime më kujtohen dy gra komshiet e mia të cilat bashkëjetuan në një shtëpi më një burrë(vetëm njëra e martuar ligjërisht) për më shumë se 20 vite para vitit 1990. Qeveria e para sistemit demokratik as nuk e dënoi dhe as nuk e burgosi. Kjo do të thotë se bashkëjetesa me më shumë se një person nuk është dënuar thuajse asnjëherë nga shteti shqiptar.

Së dyti, mjeku kardiokirurg i Sanatoriumit, Dervish Hasi, është nën akuzë për “trafikimit të të miturve” dhe “pornografisë” për marrëdhëniet seksuale me një 14 vjeçare. Pretendimet mediatike se ndryshimet ligjore në kodin e familjes vijnë për shkak të rastit të mjekut Dervish Hasi janë të pabaza.

E vërteta që po përpiqet venitet, sfumohet apo fshihet: Intervista e me ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetajt në Syri Tv e publikuar 7 ditë më parë, nxori të gjitha sekretet e errëta të aferës së inceneratorëve, por ishte një mesazh për kryeministrin Rama, për t’i treguar se i ka provat dhe faktet për ta implikuar në vjedhjen më të madhe të 30 viteve të fundit. Në një nga intervistat më të ndjekura të kohëve të fundit, për shkak të kureshtjes së qytetarëve për të vërtetat e Ahmetajt, ish-ministri dha 3 mesazhe të koduara, por që duhet të jenë kuptuar mjaft mirë nga personat të cilëve iu drejtohej. E para, “Hetimi i vërtetë i inceneratorit të Tiranës shkon shumë lart!”  mesazhi i Ahmetajt për Ramën ishte i qartë, “ke shkuar shumë larg”. Nëse sulmi ndaj familjes së tij vazhdon, Ahmetaj duket i gatshëm të nxjerrë të gjitha faktet që i ruan në “Kutinë e Pandorës”. E dyta, Ahmetaj deklaroi publikisht se kryebashkiaku Erion Veliaj është pronari i vërtet i këtij inceneratori. Madje, ish-ministri nxori edhe emrin e biznesmenit shqiptaro-zviceran Besmir Hoxha, i cili zotëron 40% të këtij inceneratori.  Kjo ishte një pistë e re që Ahmetaj ia serviri SPAK-ut. E treta, rrëfimi i Ahmetajt tregoi se socialistët janë gati të shesin njëri tjetrin për të qenë sa më afër liderit të tyre. Siç deklaroi edhe vetë, Erion Veliaj dhe Belinda Balluku ishin ata që tentuan t’i bënin “gropën”. Por ish-ministri paralajmëroi ata pak miq që i kanë mbetur në Partinë Socialiste që të bëjnë shumë kujdes, pasi mund të shiten lehtë edhe nga ata që mendojnë se i kanë miq të ngushtë.

Gjithçka e lartpërmendur përbente rrezik për pushtetin aktual. Kjo lëvizje e qeverisë më kujton filmin “Wag the Dog” me aktor kryesor Robert De Niro. Një film i komedisë së zezë me satirë politike amerikane të vitit 1997. Pak para zgjedhjeve, një spin-doktor dhe një producent Hollivudian bashkojnë përpjekjet për të sajuar një luftë në mënyrë që të mbulojnë një skandal seksual presidencial. Në atë kohë lufta e supozuar ishte me Republikën Popullore të Shqipërisë. Kush e ka parë atë film e di shumë mirë se për çfarë e kam fjalën. Kush nuk e ka parë e sugjeroj që ta shohë. Ashtu si “Rilindësit” modernë janë mësuar ta thonë shpesh, këto gjëra ndodhin edhe nëpër botë, madje bëhen dhe filma.

Sa për projektligjin “gjobë ose deri në tre vite burg kush tradhton” në martesë, shashka e radhës. Sa herë janë hartuar ligje për, poligaminë, bigaminë, martesat me të njëjtit seks etj, në shumicën e rasteve nuk janë miratuar në Parlament. Spin-doktor të dirigjuar nga qeveria shqiptare në këto 30 vite sa herë që iu është dashur të mbulojnë ndonjë skandal kanë qenë super të arrira.

Sa më shumë të flasim për “gjobë ose deri në tre vite burg kush tradhton” aq më keq kanë për të shkuar punët në këtë vend. Populli nuk e harron sloganin, “Rroftë Mbreti, poshtë Mbreti”.

Liberale Newsroom

Bashkia e Tiranës mbi 3 muaj pa kryetar! A duhet të shpallë qeveria zgjedhje të reja për kryeqytetin?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH