Sociale

PROTAGONISTI i DITËS/ Papa "bekon" Baba Mondin

Shkruar nga Reldar Dedaj
PROTAGONISTI i DITËS/ Papa "bekon" Baba Mondin

Haxhi Dede Edmond Brahimaj s’është dhe as s’mund të jetë një personazh i zakonshëm, s’mund të jetë, pasi nuk i përket as së shkuarës dhe as së ardhmes. Ai është diçka që thjesht ndodh. Mjafton. Duke qenë i tillë, mendja ta thotë ta pyesësh njëherë për mundësitë e situatave të përmbysura. Nëse do kishte lindur në një familje të pasur, në një kohë tjetër, çfarë mund të ishte dhe a do donte të ishte ky që është sot? Mirë është që të mos e ëndërrosh kohën dhe fatin e kohës kur Edmond Brahimaj ka qenë djalosh. Fillimisht studioi për ushtarak dhe më pas u bë oficer. Një zgjidhje e tillë bëhej e detyruar, pasi prindërit, duke çuar njërin nga fëmijët në ushtri, i hapnin rrugën fëmijës tjetër për të marrë një bursë studimi. Zgjedhjet ishin të orientuara më shumë nga rrethanat e kohës, sesa nga dëshirat individuale.

Prindërit e tij vijnë nga fshati Brataj i Vlorës, ata u njohën me mblesëri dhe u martuan shumë të rinj, 17 dhe 19 vjeç. Edhe pse shumë të rinj në moshë, ata nuk po krijonin dot familje, derisa në banesën e tyre erdhi Dede Ahmeti, kryegjyshi botëror i bektashinjve, i cili bëri një lutje të veçantë, duke iu dhënë atyre tre fëmijë. Një prej tyre ishte edhe Edmond Brahimaj, ish-oficer dhe më pas kryegjysh i bektashinjve. Lidhjen me besimin e pati që në momentin kur Dede Ahmeti erdhi në shtëpinë e tyre, atëherë kur familjarët e tij kujtonin se ëma nuk do të lindte fëmijë, por që rrjedha familjare ndryshoi dhe perceptimi për besimin gjithashtu.

Ai e kujton gjithmonë atë ngjarje, e cila duke e qenë e tillë për familjen e tij, s’kishte se si të mos linte aq gjurmë sa dhe ka lënë, jo vetëm për të, por për të gjithë rrethin familjar të tij. Ardhja e kryegjyshit botëror në shtëpinë e tij dhe situata familjare që ndryshoi më pas, s’kishte se si të mos përjetohej thellë dhe në brendësi të qenies së tij, jo vetëm dashuria për tjetrin, familjen dhe vatanin, por edhe për Zotin e besimin që e lidh me të.

“Prindërit s’flisnin, por ardhja e Dede Ahmetit në shtëpinë time, ka lënë një sahat (orë) që unë e kam dorëzuar dhe ndodhet sot në muzeun e Kryegjyshatës. Habitesha kur lexoja rreth besimit dhe ato që lexoja kisha shumë dëshirë t’i diskutoja me nënën, e cila, duke pasur parasysh kohën në të cilën ndodheshim, nuk preferonte të fliste rreth fesë, duke më këshilluar gjithmonë edhe mua që t’mos flas, jo vetëm me të, por me askënd tjetër as brenda dhe as jashtë shtëpisë”, kujton ai, përgjatë një interviste televizive.

Shtëpia e tij ka shërbyer si strofull bazë e asaj kohe që mbështolli dhe strehoi për t’i ruajtur të gjitha librat e besimit, duke i trajtuar me shumë fanatizëm, por mbi të gjitha me shumë frikë nga kërcënimi i ndonjë zjarri. Siç tregon dhe beson vetë ai, Zoti, u kujdes që t’i ruante dhe t’i shpëtonte. Pasi shtëpia ku jetonin mori flakë dhe dikush nga urrejtja ndaj besimit në Zot, i vuri zjarrin shtëpisë së tyre, duke i rrezikuar seriozisht jetën e motrës, vetëm pse babai i tij konsiderohej si krahu i djathtë i Dede Ahmetit, i cili i shërbeu këtij të fundit, edhe në kohën kur besimet fetare u ndaluan me ligj në Shqipëri.

Ajo çfarë e bëri me interesante veprimtarinë e Haxhi Dede Edmond Brahimaj ishte propozimi i kryeministrit Edi Rama pas deklarimit nga podiumi i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork se qeveria e tij, ishte e gatshme që ta transformonte Urdhrin Botëror Bektashi në “një shtet sovran brenda kryeqytetit shqiptar”, të ngjashëm me Vatikanin. Ideja u mikprit nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane, ndërsa opinioni publik vazhdon të jetë i ndarë në lidhje me përfitimet apo dëmet që ky projekt mund t’i shkaktojë vendit.

Për vetë Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i njohur si Baba Mondi, kjo është një "nismë e jashtëzakonshme, e cila do të sjellë një epokë të re për tolerancën fetare botërore dhe promovimin e paqes. "Urdhri Bektashi, i njohur për mesazhin e tij të paqes, tolerancës dhe harmonisë fetare, do të fitojë sovranitet të ngjashëm me Vatikanin, duke e lejuar atë të qeverisë në mënyrë autonome çështjet fetare dhe administrative” – u tha në reagimin zyrtar të Kryegjyshatës.

Si për të mos mjaftuar kjo, debatit në lidhje me shtetin e ri sovran Bektashi në Shqipëri, i shtohet edhe vetë Papa Françesku, i cili sipas mediave kombëtare shqiptare, ka mirëpritur krijimin e një shteti të tillë. “Nismë e bukur të cilën e bekoj”, mësohet të ketë thënë Papa gjatë takimit. Kryegjyshi Botëror, Shenjtëria e tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj udhëtoi drejt Vatikanit, ku është pritur në selinë e shenjtë nga Papa Françesku. Takimi i tyre u realizua në kuadër të 95-vjetorit të vendosjes së Kryegjyshatës Bektashiane në Shqipëri.

I themeluar gjatë shekullit të trembëdhjetë në Perandorinë Osmane, Urdhri Bektashi e zhvendosi qendrën e tij në Tiranë që prej vitit 1929./Liberale.al

 

 

 

 

 

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH