Presidenti i Republikës, bajram begaj, ka mbërritur në në Vatikan për funeralin e Papa Françeskut
Mijëra besimtarë dhe mbi 170 delegacione nga mbarë bota do të mblidhen të shtunën më 26 prill, në orën 10:00, për funeralin e Papa Françeskut para Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan.
Ceremonia pritet të jetë një nga ngjarjet më të mëdha shtetërore dhe fetare të dekadës, me praninë e krerëve të shteteve, qeverive dhe udhëheqësve shpirtërorë.
Presidenti amerikan Donald Trump do të qëndrojë në Romë për më pak se 24 orë, pa shumë gjasa për takime diplomatike. Të pranishëm do të jenë gjithashtu presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti francez Emmanuel Macron, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe kancelari në largim Olaf Scholz, kryeministri britanik Keir Starmer e Princi William.
Sipas La Repubblica, ish-presidenti amerikan Joe Biden do të marrë pjesë në funeral, por ai nuk do të jetë pjesë e delegacionit zyrtar amerikan. Biden, presidenti i dytë katolik në historinë e SHBA-së pas John Fitzgerald Kennedy, ka vendosur të udhëtojë në mënyrë private. Sakaq, edhe presidenti shqiptar Bajram Begaj është nisur sot drejt Italisë për të marrë pjesë në ceremoni.
Në listën e delegacioneve janë gjithashtu presidenti i Brazilit Lula da Silva, presidenti polak Andrzej Duda, dhe liderë nga Ballkani e vende të tjera. Ndër krerët fetarë do të jenë Imami i Madh i Al Azharit Ahmad al-Tayyeb, kryerabini i Romës Riccardo Di Segni dhe përfaqësues të Kishës Ortodokse ruse.
Në mbrëmjen e sotme, në orën 20:00, do të mbahet ceremonia e mbylljes së arkivolit të Papës në Bazilikën e Shën Pjetrit, e udhëhequr nga Kardinali Kevin Joseph Farrell, Camerlengo i Kishës Katolike. Të pranishëm do të jenë edhe shumë nga hierarkët më të lartë të Selisë së Shenjtë, përfshirë kardinalë dhe përfaqësues të Sekretariatit të Shtetit.
Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, ka bërë të ditur se priten mbi 200,000 persona në ceremoninë e së shtunës, ndërsa mbi 1,000 efektivë sigurie janë angazhuar për mbarëvajtjen e ceremonisë.
Trupi i Papa Françeskut do të prehet në Bazilikën e Santa Maria Maggiore, në një varr prej mermeri ligurian me mbishkrimin e thjeshtë "FRANCISCUS" dhe një riprodhim të kryqit që mbante në kraharor. Vendi i varrimit ndodhet pranë Altarit të Shën Françeskut, midis Kapelës Pauline dhe Kapelës Sforza.
Ngushëllime kanë ardhur nga e gjithë bota, përfshirë presidentin izraelit Isaac Herzog, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu u bë pjesë e debatit publik për vonesën në shprehjen e ngushëllimeve. Nga Rusia, presidenti Putin do të mungojë, por ka dërguar Ministren e Kulturës, Olga Lyubimova, si përfaqësuese zyrtare.
Papa Françesku, një papë i përulët dhe i guximshëm në reforma, i dashur për njerëzit e thjeshtë dhe respektuar nga liderët botërorë, do të përcillet me nderimet më të larta, duke lënë pas një trashëgimi që do të kujtohet gjatë.