Pas vendimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi , që mbylli procedurën administrative ndaj Xheneta Fetahut lidhur me publikimin e përgjimeve telefonike me Drilon Ramën, ka ardhur një reagim i fortë nga avokatja e boksierit, Bederie Berisha Rexhepi.
Në një postim publik në rrjetet sociale, avokatja theksoi se vendimi në asnjë mënyrë nuk përfaqëson një “fitore” për Fetahun. Përkundrazi, ajo thekson se vendimi e cilëson atë si kontrolluese të dhënave personale, çka përbën, sipas saj, një përgjegjësi serioze ligjore.
“Ky vendim, në asnjë mënyrë, nuk përbën ‘fitore’ për znj. Xheneta Fetahu. Përkundrazi, ai e përcakton atë si kontrolluese të të dhënave personale që ajo vetë ka pranuar se i ka regjistruar dhe ka kërcënuar publikisht me publikimin e tyre veprime që përbëjnë situat të rëndë të integritetit personal dhe të privatësisë së z. Drilon Rama,” shkruan Rexhepi.